Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Apeli liron Agim Çekun/ Rrëzohet vendimi me 1 vit burg për ish-kryeministrin e Kosovës

schedule22:00 - 11 Shtator, 2026

schedule 22:00 - 11 Shtator, 2026

Gjykata e Apelit në Kosovë ka liruar nga akuzat ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 9 të akuzuarit e tjerë në rastin e njohur si “Veteranët”. Vendimi rrëzon dënimet me nga një vit burgim që ishin dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin 2025.

Apeli vlerësoi se nuk ishte provuar përtej nivelit të kërkuar ligjor se të akuzuarit kishin keqpërdorur me dashje detyrën zyrtare për t’u dhënë statusin e veteranit personave që nuk i plotësonin kriteret ligjore.

Rasti lidhet me procesin e verifikimit të statusit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pretendimet për shpërdorim të detyrës. Prokuroria kishte pretenduar se përmes këtij procesi, buxhetit të shtetit mund t’i ishte shkaktuar dëm prej më shumë se 88 milionë eurosh.

Në vendimin e saj, Apeli theksoi se provat e administruara nuk ishin të mjaftueshme për të dëshmuar se secili prej të akuzuarve kishte vepruar individualisht dhe me dashje në kundërshtim me ligjin.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit la në fuqi edhe pafajësinë e Nuredin Lushtakut dhe Smajl Elezajt, të cilët ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore dhe ndaj të cilëve kishte apeluar Prokuroria.

Çështja “Veteranët” ka të bëjë me procesin e njohjes së statusit të veteranëve të luftës së viteve 1998-1999. Prokuroria kishte deklaruar më herët se numri i personave që mund të kishin përfituar në mënyrë të paligjshme mund të arrinte deri në rreth 19 mijë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!