Apeli i Shkodrës liron ish-deputetin demokrat Bardh Spahia

schedule15:30 - 11 Korrik, 2019

schedule 15:30 - 11 Korrik, 2019

I paligjshëm është konsideruar nga Apeli i Shkodrës ndalimi i ish-deputetit Bardh Spahia. Në seancën e sotme  u vendos masa detyrim paraqitjeje ndaj ish-deputetit. Spahia akuzohet se ka nxitur aktet e dhunshme të mbështetësve opozitarë ndaj godinës së KZAZ-së nr. 3 në Shkodër, pak ditë para zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Gjykata e Apelit të Shkodrës liroi ish-deputetin demokrat Bardh Spahia. Në seancën e drejtuar nga gjyqtarja Marina Rraboshta u vendos masa detyrim paraqitje për Spahinë pasi gjykata e konsideroi të paligjshëm ndalimin e tij.

Prokuroria kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, ndërsa avokati mbrojtës Ivi Kaso kërkoi lirimin e menjëhershëm të ish-deputetit. Në sallën e gjyqit ishte edhe kryebashkiakja Voltana Ademi.

Pasi fitoi lirinë, Spahia u prit jashtë dyerve të Gjykatës nga simpatizantët e PD-së. Avokati i tij, Ivi Kaso deklaroi se policia ka kryer arrestimin e paligjshëm për ta frikësuar ish-deputetin për t’u tërhequr nga e drejta e tij për të protestuar.

Ish-deputeti demokrat ndodhej në arrest shtëpie. Ai u vu në pranga pas sulmeve që ndodhen në KZAZ nr.3 në Shkodër ku iu vu flaka materialeve zgjedhore. Ndaj tij rëndonin akuzat për veprat penale “Kundërshtim i punonjësve të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”./ABC News Albania