PSG e priti me stoicizëm vendimin e qeverisë së vendit të saj për t’i dhënë fund futbollit. Padyshim që kampionët e Francës kanë qenë të informuar që më parë, por gjithsesi kjo goditje nuk ishte aq e rëndë, sa do të kishte qenë anulimi, të themi i Premier League në Angli.
Klubi kryeqytetas njoftoi shpejt se do t’i luajë ndeshjet e mbetura të Champions-it jashtë Francës, në një stadium neutral. Një hulumtim i thjeshtë i tabelës së të ardhurave të klubit të sheikëve të bind se vërtet shqetësimi nuk kishte pse të ishte shumë i madh.
E gjithë Liga e Parë e Francës merr në vit nga të drejtat televizive vetëm 200 milionë euro, një shifër e respektueshme, por tepër e vogël në krahasim me 860 milionë eurot në vit që u jepen 20 klubeve të elitës në Angli.
E vërtetë që PSG-ja merr “pjesën e luanit” në këtë fond, por jo më shumë se 60 milionë euro në vit, ndërsa në Angli vitin e kaluar edhe skuadra që ra nga kategoria, Huddersfield, mori gati dyfishin e kësaj shume, mbi 110 milionë euro në vit, ose 96.6 milion sterlina.
LEXO EDHE: Anulohet dhe Ligue 1, çfarë ndodh me PSG-në në Champions?
Për më tepër, parisienët kanë fituar disa tituj kampion radhazi në Francë dhe për ta, nuk është ndonjë humbje e madhe që mund të mos u jepet titulli i këtij edicioni.
Ndryshe është puna me Ligën e Kampionëve. Deri tani, PSG ka fituar 50 milionë euro vetëm këtë vit sportiv, ndërsa nëse arrin deri në finale apo e fiton trofeun, të ardhurat do të arrinin në mbi 80 milionë euro.
Gjithashtu, parisienët fitojnë shumë nga kontratat e sponsorizimit, me 150 milion dollarë në vit vetëm nga kompanitë “Archor” dhe “Nike”. Ndërkaq, futbolli në Francë u anulua nga qeveria, njoftuar me fjalimin e mbajtur nga kryeministri Edouard Philipp.
Fjala është për të dyja ligat e para, ndërsa sezoni nuk mund të fillojë deri në shtator të këtij viti, pra klubet duhet të përgatiten për edicionin e ardhshëm./abcnews.al