Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Anulimi i mbledhjes së qeverive Shqipëri-Kosovë, Nazarko: Ishte veprim i detyruar

schedule12:49 - 14 Qershor, 2023

schedule 12:49 - 14 Qershor, 2023

SHQIPËRI- Shqipëria dhe Kosova anuluan mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, e cila ishte parashikuar të mbahej ditën e sotme në Gjakovë. Analisti Mentor Nazarko tha në ABC News se ky hap ishte i detyruar, pasi Shqipëria është pjesë e komunitetit euro-atlantik dhe në këtë kuadër, nuk mund të veprojë ndryshe prej shteteve të kësaj linje.

“Sigurisht që Shqipëria është pjesë e komunitetit euroatlantik dhe  në këtë kuptim duhet të rreshtohet me ta. Anulimi i mbledhjes së dy qeverive, ishte veprim i detyruar. Çfarë është mbledhja e dy qeverive? Është tregues i faktit se marrëdhëniet e dy vendeve janë në nivelin më të lartë. Së dyti, kanë një dimension publik ku dy kryeministrat dalin para gazetarëve dhe ekspozojnë po themi nivelin e bashkëpunimit. Në momentin kur ti ekspozohesh publikisht në një situatë si kjo, atëherë ti e ke të pashmangshme të mos i demonstrosh divergjencat. Shqipëria nuk është dakord me atë që po bën Kosova dhe në këtë kuptim është shmangur një mundësi publike që të ekspozoheshin divergjenca të tilla para gazetarëve. Së dyti është shmangur një mundësi, që Kosova ta paraqesë  mbështetjen e Shqipërisë, si mbështetje për atë që po bën”, tha ai.

Ai u shpreh se veprimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama janë të koordinuara me Bashkimin Evropian. Analisti tha se Rama është i informuar mbi paketën e sanksioneve, por në këtë pikë shtoi Nazarko duket se Shqipëria është ofruar si ndërmjetëse për të zbutur qëndrimin e Kosovës.

“Veprimi i Ramës nuk ka asnjë dyshim që është i sinkronizuar, i sintonizuar me BE. Rama është i informuar me paketën e masave ndëshkuese për Kosovën, dhe madje, duket se Shqipëria është ofruar si ndërmjetëse për ta zbutur qëndrimin e Kosovës, për ta modifikuar atë. Jo absolutisht, ai ka kërkuar prej disa ditësh, Rama ekspozoi durim, kur tha se kam disa ditë që pres ta takoj dhe jam i gatshëm ta takoj në Gjakovë, por Kurti nuk po i jep një mundësi takimi. Është sjellje e ngurtë e autoriteteve të Kosovës.”, tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!