Bashkimi Europian i është përgjigjur administratës së Donald Trump, pas publikimit të një dokumenti të qeverisë amerikane ku thuhej se Evropa rrezikon “zhdukje kulturore” nëse vijojnë trendet aktuale demografike dhe politike.
Antonio Costa, presidenti i Këshillit Europian tha se blloku nuk do të tolerojë ndërjyrje politike dhe theksoi se Uashingtoni nuk ka të drejtë të zgjedhë në emër të qytetarëve evropianë se cilat politika janë të drejta ose për kë duhet të votojnë.
“Ajo që nuk mund ta pranojmë është kërcënimi i ndërhyrjes në jetën politike europiane. Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i zëvendësojnë qytetarët europianë në zgjedhjen e partive të mira ose të këqija. Shtetet e Bashkuara nuk mund ta zëvendësojnë Europën për të thënë se çfarë vizioni kemi dhe cila është liria e shprehjes”
Costa tha se aleatët nuk kërcënojnë të ndërhyjnë në jetën politike ose në zgjedhjet e brendshme demokratike të aleatëve të tjerë dhe mbrojti autonominë e Europës për të zgjedhur rrugën e vetë.
Megjithatë ai e cilësoi Uashingtonin një partner, por theksoi se Europa duhet të bëhet më e fortë dhe më sovrane.
Komenti i tij vjen pasi Shtetet e Bashkuara përditësuan Strategjinë e tyre të Sigurisë Kombëtare, duke i bërë thirrje Evropës të ndryshojë kursin dhe duke lavdëruar partitë patriotike evropiane që i rezistojnë politikave të Brukselit.
Dokumenti prej 33 faqesh argumentoi se një kombinim i politikave ekonomike të hartuara keq, emigrimit të paligjshëm dhe rregullave të tepërt mund të çojë në rënien e Europës si qytetërim.
Tensionet politike midis Uashingtonit dhe Brukselit u përshkallëzuan gjatë fundjavës, pasi Komisioni Europiuan gjobiti me 120 milionë euro platformën X të Elon Musk për shkelje të rregullave.
Musk u përgjigj duke thënë se blloku me 27 anëtarë duhet të shpërbëhet, ndërsa edhe zyrtarët më të lartë të administratës amerikanë e quajtën gjobën një sulm.


