Shpresat për një ilaç që do të ndalojë shumimin e koronavirusit më në fund po bëhet realitet. Sipas një studimi në Shtetet e Bashkuara, ilaçi eksperimental TEMPOL është cilësuar si një terapi antivirale premtuese kundër COVID-19.
TEMPOL mund të zvogëlojë infeksionin SARS-CoV-2 duke reduktuar aktivitetin e një enzime të virusit të quajtur ARN. Studiuesit tashmë po shqyrtojnë faktin nëse enzima e ARN-së kërkon një sasi të konsiderueshme hekur-squfur për t’u shumuar.
Por sipas të dhënave deri më tani, shumimi i ARN-së SARS-CoV-2 kërkon dy atome të hekurit dhe squfurit për të funksionuar. Njohja e kësaj veçorie të shumëfishimit të ARN-së lejon studiuesit të gjejnë më lehtë dobësinë e virusit.
Më konkretisht, TEMPOL mund të shpërbëjë lidhjet hekur-squfur dhe hulumtimet e mëparshme kanë treguar se ilaçi mund të jetë efektiv edhe në sëmundje të tjera të shkaktuara nga viruset, bakteret, parazitët, raporton abcnews.al
Kështu, në eksperimentet e kryera deri më tani në qelizat e SARS-CoV-2, studiuesit zbuluan se ilaçi mund të pengonte shumimin e virusit. Bazuar në studimet e mëparshme të TEMPOL në kafshë dhe sëmundje të tjera, autorët e studimit vunë në dukje se dozat e TEMPOL të përdorura në eksperimentet e tyre mund të prekin ndoshta indet që janë kryesisht shënjestra të virusit, të tilla si gjëndrat e pështymës dhe mushkëritë.
Duke pasur parasysh sigurinë dhe efektivitetin e TEMPOL dhe dozën që përdorën në studim, studiuesit u shprehën optimistë. Sidoqoftë, janë të nevojshme provat klinike për të përcaktuar nëse ilaçi është efektiv tek pacientët, veçanërisht në fazat e hershme të sëmundjes kur virusi fillon të shumëfishohet.
Studiuesit planifikojnë të kryejnë studime shtesë mbi kafshët, një mënyrë për të vlerësuar sigurinë dhe efektivitetin e TEMPOL në provat klinike. Një ilaç oral që pengon shumëfishimin e virusit SARS-CoV-2 do të ishte një mjet i rëndësishëm në reduktimin e rasteve të rënda të sëmundjes./abcnews.al