Gjergj Bojaxhi ka qenë i ftuar ditën e sotme në studio me Juli Xhokaxhi. Bojaxhi ndau opinionin e tij në lidhje me situatën aktuale në vend.
Në lidhje me shkarkimin e presidentit Bojaxhi tha se është lojë politike nga të dy palët si nga ana e PS edhe nga ana e Presidentit.
Po ashtu, ai dha opinion e tij, edhe për “paketën antishpifje” për të cilën tha se, ligji i miratuar i jep fuqi kryeministrit dhe qeverisë në pushtet.
Bojaxhi theksoi se ishte e pakuptueshme, se pse duhet një organizëm tjetër që të gjykojë shpifjet nga mediat, kur ndërkohë po bëhet reforma në drejtësi, dhe shumë mirë mund ta bëj një gjykatë e paanshme e dalë nga kjo reformë.
Pjesë nga biseda në studio:
Gjergj Bojaxhi: Kemi të bëjmë me dy palë që kanë interesa politike. Personalisht mendoj që Presidenti bëri gabim për shtyrjen e zgjedhjeve nga ana tjetër PS duke e zgjeruar afatin, duke e shtyre atë që do të bëjë është thjesht një teatër politik sepse presidenti një herë shkarkohet vetëm nëse ka patur mungesë argumenti. Por gjithsesi nuk ka gjykatë kushtetuese dhe nuk mund të shkarkosh diçka pa patur Gjykatën e cila miraton vendimin e parlamentit. Pra janë duke treguar forcën të dy palët. Presidenti për qëndrimet e veta ka mbajtur pozicion agresiv. Duke qenë e tillë mendoj se kjo është një mënyrë për ta intimiduar, por përsëri kjo është lojë.
Juli Xhokaxhi: Çfarë prodhohet nëse do bëhej shkarkimi i tij çfarë ndodh?
Gjergj Bojaxhi: PS ka në interes ta mbajë të karikuar këtë situatë, shkarkimin se sa ta marrë vendimin sepse në momentin që e merr vendimin do tregojë pafuqishmërinë e vet, dobësinë e tij për pamundësinë e shkarkimit. Mendoj që duan të shmanget debati për Buxhetin. Në Shqipëri u votua buxheti dhe nuk pati debat se si do menaxhohen lekët e shqiptarëve, thjesht kaloi në heshtje dhe kaq.
Juli Xhokaxhi: Pranvera është vënë si një lloj limiti, kemi shtyrje për situatën e emergjencës dhe shkarkimin e presidentit, ndërkohë është miratuar ligji “antishpifje” duket sikur është investuar vetë kryeministri Edi Rama, do doja një opinion?
Gjergj Bojaxhi: Qeveria nuk ka më një vizion. Nuk ka një projekt për zhvillim, nuk ka mekanizma, në këtë rast menaxhohet në mënyrë taktike, pra në mënyrë spontane si qëllim për të qëndruar në pushtet. Është e vetmja gjë që shpjegojnë lëvizjet e qeverisë. Siç është përqendruar pushteti politik po përqendrohet edhe ai ekonomik. Këtu mirëqenia arrihet ose duke ikur ose duke u bërë palë e qeverisë në pushtet. Ne nuk kemi një ekonomi tregu të mirëfillte. Ne po shkojmë mbrapsh dhe po e centralizojmë më tepër pushtetin. Për sa i përket ligji “antishpifje”, unë jam vetë një njeri që kam vuajtur nga shpifja dhe baltosja. Por pse vuajmë nga kjo nuk do të thotë që ka një mënyrë të keqe apo të mirë për të zgjidhur problemin. Ky ligj në mënyrë të qëllimshme godet mediat e internetit të cilat sipas standardeve të BE nuk rregullohet me ligje të tilla. Është një ligj që i jep avantazh i atyre që janë në pushtet dhe jo qytetarëve. Kjo që po ndodh ka filluar që nga 2013. Ky kryeministër kur erdhi në pushtet në 2013 shtoi mjetet që kjo administratë ka në dispozicion për të penalizuar qytetarin dhe biznesin. Nëse gjoba për një biznes ishte 10 u bë 20, Nëse gjoba për një qytetar ishte 1 u bë 3. Administratës i janë dhënë më shumë mjete për të goditur, ku e gjykon administrata që është shkelje. Çështje është që kemi politikë të korruptuar dhe administratë të korruptuar, ndërsa këta i japin edhe më shumë pushtet mekanizma, në vend që të punojnë se si të pastrojnë administratën nga korrupsioni e nepotizmi i japin më tepër mekanizma. Pra ligji “antishpifje” është një mjet për të forcuar kryeministrin dhe partinë në pushtet, në raport me shoqërinë. Dua të them diçka tjetër, çdo qytetar që baltoset shkon në gjykatë, nëse nuk na pëlqen kjo gjykatë pse po bëhet reforma në drejtësi, dhe pse kërkohet të krijohet diçka tjetër që anashkalon këtë reformë./abcnews.al