Anthony Davis refuzon kontratën e re, James merr për dore Lakers

schedule11:56 - 8 Janar, 2020

schedule 11:56 - 8 Janar, 2020

Anthony Davis refuzon ofertën e LA Lakers në basketbollin amerikan. Ylli i ardhur nga New Orleans synon një pagesë maksimale prej mbi 200 milionë dollarësh në 5 vitet e ardhshme

Një ndarje kaq shpejt as që mund të mendohet. Ndoshta nuk po bluan pikërisht këtë në kokën e tij Anthony Davis, por gjithsesi ka nisur një sfidë jashtë fushe me klubin e tij, Lakers.

Yllit të ardhur nga New Orleans Pelicans verën e kaluar, mësohet se i është ofruar një kontratë e re 4-vjeçare, me rrogë 46 milionë USD në sezon. Po ashtu, mësohet se ai e ka refuzuar kërkesën e Lakers, duke krijuar një lloj alarmi.

Mos vallë nuk ka më dëshirë të jetë partner me LeBron James, në një skuadër që i ka të gjitha gjasat që të luftojë për titullin? Pak besohet, pasi vështirë se Davis mund të gjejë shoqëri më të mirë. Synimi i tij, sipas analistëve të basketbollit në Amerikë, është që të përfitojë maksimalisht nga ana financiare.

Në verë, ai do të jetë lojtar i lirë dhe Lakers besohet se do të jenë të detyruar t’i japin kontratën më të lartë të mundshme, 202 milionë USD në 5 vjet. Çështje biznesi, diçka normale, ndërsa dyshja LeBron James-Anthony Davis pritet të jetë për shumë vjet së bashku, me synim për të fituar sa më shumë tituj në NBA që të jetë e mundur.

Në ndeshjen e fundit, gjithsesi,Davis nuk ishte aq lart, duke shënuar vetëm 5 pikë, ndërsa suksesi i thellë në fushën e New York Knicks erdhi falë LeBron. Kapiteni shënoi 31 pikë në “Medison Skuer Garden”, kapi 5 topa në tabela e shërbeu 5 asiste për fitoren 117-87. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!