Rezultatet e një sondazhi të ri në shkallë botërore tregojnë se hezitimi për të marrë vaksinën përbën një rrezik në përpjekjet për t’i dhënë fund përgjithmonë pandemisë.
Në 79 nga 117 vendet e anketuara, (https://news.gallup.com/349178/global-vaccines.aspx) numri i njerëzve që thanë se ishin të gatshëm të vaksinoheshin ishte nën 70%, përqindja minimale e popullsisë që shkencëtarët thonë se duhet të fitojë imunitet për të frenuar virusin.
Por ekspertët thonë se njerëzit ndryshojnë mendim pas arritjes së vaksinave dhe se shumë vende nuk i kanë filluar ende vaksinimet masive.
Organizata Gallup kontaktoi rreth 1000 njerëz në secilin nga 117 vendet, kryesisht në fund të vitit të kaluar.
Në 20 vende, shumica e anketuarve thanë se nuk do të vaksinoheshin. Në Rusi, për shembull, 61% e njerëzve thanë se do të refuzonin vaksinën ndërsa në Kosovë kjo shifër ishte 56%.
Në përgjithësi, bazuar në rezultatet, sondazhi vlerëson se më shumë se 1 miliard njerëz nga 7.6 miliardë në të gjithë botën nuk duan të vaksinohen.
Zyrtarët shëndetësorë po synojnë të vaksinojnë një numër të mjaftueshëm njerëzish për të arritur “imunitetin e tufës”, që do ta ngadalësonte mjaft përhapjen e sëmundjes.
Sa më shumë që qarkullon virusi, aq më shumë mundësi ka që ai të shndërrohet në variante të reja të rrezikshme që mund t’I bëjnë të paefektshme vaksinat.
Shkencëtarët nuk e dinë saktësisht se kur një popullatë arrin imunitetin e tufës, por mendohet që bëhet fjalë për një nivel prej 70% deri 90% vaksinimesh.
Në total, vetëm 68% e njerëzve të anketuar thanë se do të vaksinoheshin.
Vaksinimi nuk është faktori i vetëm për arritjen e imunitetit të tufës. Infeksionet natyrore gjithashtu luajnë rol. Disa vende në të cilat vazhdon imunizimi, po njohin rënie të ndjeshme të infeksioneve, shumë më herët se sa vaksinimi i 70% të popullsisë.
Por ende ka pyetje pa përgjigje në lidhje me forcën e imunitetit ndaj infeksionit natyror, kohëzgjatjen e tij dhe nëse variantet e reja mund ta mposhtin këtë imunitet. Shumë nga këto pyetje mbeten pa përgjigje edhe për vaksinat kundër COVID-19s.
Sondazhi u krye para se vaksinat të fillonin të përhapeshin në masë. Qëndrimet ndaj vaksinave ndoshta kanë ndryshuar disi, thanë zyrtarët e anketimit, edhe për shkak të mbulimit të gjerë mediatik.
Shtetet e Bashkuara janë një shembull i mirë se si ndryshojnë mendimet pasi fillojnë vaksinimet.
Gallup e zhvilloi sondazhin në SHBA midis gushtit dhe tetorit. Në atë kohë, rreth 46% e amerikanëve thanë se nuk do të vaksinoheshin.
Sondazhi më i fundit i Gallup, në mars të këtij viti, tregon se kjo shifër ka rënë në 26%.
Ndryshimi më i madh, sipas një sondazhi të veçantë, ishte mes njerëzve që thoshin se do të “prisnin për të parë” nëse do të vaksinoheshin.
Mosbesimi tek qeveria
Në disa vende, njerëzit hezitojnë sepse nuk i besojnë qeverisë, thanë zyrtarët e organizatës Gallup.
Besimi te qeveria ishte I ulët në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, për shembull, dhe banorët kishin më pak gjasa të thoshin se do ta merrnin vaksinën.
E megjithatë, midis rusëve që kishin siguri tek qeveria e tyre, 49% thanë se nuk do ta merrnin vaksinën./VOA