Anila Denaj në Kuvend: 2 miliardë lekë shtesë për blerjen e vaksinave kundër Covid-19

schedule10:43 - 4 Maj, 2021

schedule 10:43 - 4 Maj, 2021

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në fjalën e saj në Kuvend theksoi se prioritet mbetet vaksinimi i të gjithë qytetarëve, për të cilët sipas saj duhet 4,4 milion doza të vaksinës kundër koronavirusit.

Denaj the se deri më sot qeveria shqiptare ka nënshkruar kontrata për sigurimin e 2,2 milion dozave të vaksinave, doza të cilat janë në përdorim dhe në proces të vaksinimit të popullatës.

“Për përmbushjen e objektivit të imunizimit ndaj Covid-19 kërkohen dhe 2.2 milion doza të tjera vaksine, tha Denaj, duke shtuar, se e përkthyer në vlerë monetare, bazuar në çmimet e vaksinave, kjo nënkupton një financim shtesë për 2 miliardë lekësh të dedikuar për blerjen e vaksinave”, u shpreh ajo, ndërsa shtoi se qeveria shqiptare pranoi propozimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për të alokuar buxhetin e nevojshëm në rezervën e buxhetit të shtetit, në përdorim sipas nevojës për çdo zhvillim në vijim”, tha ajo.

Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj

Pas një procesi zgjedhor intesiv dhe një rezultati të padiskutueshëm dhe pozitiv për Partinë Socialiste, gjej rastin të falënderoj cdo shqiptar, që  shprehu vullnetin e tij përmes votës në datën 25 Prill. Falënderim për një proces zgjedhor shembullor dhe sigurisht për një rezultat, i cili bën krenarë cdo socialist, në Qarkun e Vlorës, dhe në të gjithë Shqipërinë.

Përtej procesit zgjedhor rindërtimi dhe vaksinimi ka vijuar me intensitet të lartë. Sapo është realizuar vaksinimi i më shumë se gjysmë milioni  shqiptarë.

Vaksinimi do të vijojë të mbetet një nga prioritet e deklaruara të Qeverisë Shqiptare.

Rrjedhimisht, për të arritur imunizimin e të gjithë popullatës së vendit, objektivi ynë i përbashkët mbetet vaksinimi i 2.2 milionë qytetarëve shqiptarë, për të cilët nevojiten 4.4 milion doza vaksina. Ja përse në muajin prill, Qeveria ndërmori një proces për rishikimin e skenarëve të buxhetit të shtetit për vitin 2021.

Kjo ishte vetëm përpjekja e radhës në angazhimin për të siguruar cdo financim të nevojshëm për vaksinimin e qytetarëve shqiptarë.

Deri më sot Qeveria Shqiptare ka nënshkruar kontrata për sigurimin e 2.2 milion dozave të vaksinave, doza të cilat janë në përdorim dhe në proces të vaksinimit të popullatës. Megjithatë, për përmbushjen e objektivit të imunizimit ndaj Covid-19 kërkohen dhe 2.2 milion doza të tjera vaksine. E përkthyer në vlerë monetare, bazuar në cmimet e vaksinave, kjo nënkupton një financim shtesë për 2 miliardë lekësh të dedikuar për blerjen e vaksinave. Ne Mbetemi përballë një situate pozitive për Shqipërinë, por dinamike.

Virulenca e COVID 19, ashtu edhe masat e Qeverisë për të siguruar mbështetjen e nevojshme në këtë rrugëtim për sigurinë e shqiptarëve janë faktorë të nevojës për financim. Ja përse, në këto kushte Qeveria Shqiptare ka pranuar propozimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për të alokuar buxhetin e nevojshëm në rezervën e buxhetit të shtetit, në përdorim sipas nevojës për cdo zhvillim në vijim.

Rritja e kufirit të rezervës së buxhetit të shtetit ofron fleksibilitet dhe siguron disponibilitetin e nevojshëm financiar në kohën e duhur. Baza për këtë vendimmarrje është jo vetëm domosdoshmëria e vaksinimit të popullatës, por edhe ecuria mjaft pozitive e indikatorëve makroekonomikë dhe buxhetorë në tre muajt e parë të vitit 2021.

Performanca e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 3 mujore (Janar – Mars 2021) ka reflektuar një ecuri pozitive në arketime dhe shpenzime.

Të ardhurat tatimore për 3-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 101 % të planit të 3-mujorit, me performancën më të mirë në arkëtimet nga tatimi mbi të ardhurat, akciza, tatimi mbi fitimin dhe kontributet.

Dëshiroj të ndalem vetëm në një shembull pozitiv të ecurisë së të ardhurave, ku pavarësisht masës së Qeverisë për Tatimin mbi Fitimin 0 për Biznesin e Vogël, të ardhurat nga ky tatim në buxhetin e shtetit:

     u realizuan në masën 10.6 miliardë lekë,

     1.5 miliardë lekë, ose 16.4% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe

     2.3 miliardë lekë ose 28.3% më shumë se plani 2021 për Tatimin mbi Fitimin.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 3-mujorin e vitit 2021, u realizuan në masën 96% të planit të periudhës.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e tretë të vitit 2021 rezultoi në rreth 7 miliardë lekë.

Në këto kushte, bazuar në vlerësimet mbi ecurinë e deritanishme të treguesve të buxhetit 2021, si edhe pritshmërinë e performancës së tyre deri në fund të vitit 2021, ky akt normativ përcakton vetëm një ndryshim kyc i cili ka të bëjë me:

  • Shtesën me 2 miliardë lekë në Fondin Rezervë të Këshillit të Ministrave

Me qëllim përballimin e shpenzimeve të blerjes së vaksinave gjatë vitit 2021, si edhe të shpenzimeve të tjera eventuale të qeverisë qe lidhen me pandemine Covid 19;

  • Shtesën në të njëjtën masë, pra 2 miliardë lekë të të ardhurave tatimore do të arrihet nëpërmjet:

     Kontributet (fondet speciale) +800 milionë leke

     Tatimi mbi Fitimin                         +600 milionë leke

     Akciza                                             +400 milionë leke

     TAP                                                 +200 milionë leke

Këto ndryshime balancojnë ndërhyrjet në buxhet, por nuk prekin në asnjë mënyrë parametrat kyc makro-fiskalë.

Indikatorët si deficiti buxhetor dhe borxhi publik mbeten të pandryshuara dhe në përmirësim drejt një konsolidimi fiskal afatmesëm.

Ky është një vazhdim i mirë i parashikimeve të qeverisë shqiptare. Më lejoni të theksoj se ky vit ka nisur mbarë. Ka nisur me një realizim të të ardhurave në buxhetin e shtetit mbi planin e parashikuar.

Jemi shumë besimplotë që parametrat fiskalë do të vazhdojnë të jenë pozitivë, ashtu sikurse ia dolëm edhe vitin e kaluar do ia dalim edhe këtë vit por mbetet dhe është prioritet i qeverisë shqiptare vaksinimi i të gjithë shqiptarëve prandaj ju ftoj që ta miratojmë këtë akt normativ.

/abcnews.al/