Mbetjet drejt Tajlandës, prokuroria nis hetimet/ U përkasin kompanive që operojnë te ish Metalurgjiku. Ministria e Mjedisit: Nuk kemi dhënë autorizim

schedule16:20 - 21 Gusht, 2024

schedule 16:20 - 21 Gusht, 2024

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për transportin e rreth 800 tonë mbetjeve që dyshohet se janë nisur nga Shqipëria drejt Tajlandës. Sipas Prokurorisë, hetimet po kryhen në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik OLAF për veprën Penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”.

Ndërkohë që ministria e Mjedisit dhe Turizmit, në një reagim për mediat, sqaron se nuk ka dhënë asnjë autorizim për transport të mbetjeve të ndaluara dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës.

Ndërkohë që institucionet ligjzbatuese shqiptare janë angazhuar që në sinjalizimin e parë të këtyre dyshimeve dhe kanë kryer veprime hetimore të përbashkëta.

Sipas ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, sasia e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje, ka dalë nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, më pas janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS.

Institucionet shqiptare dhe ministria e Mjedisit po bashkëpunojnë me partnerët evropianë për kryerjen e hetimeve të plota dhe transparentetë të gjitha rrethanave që kanë kryer këtë transport të dyshuar të mbetjeve nga Europa në Azinë Juglindore.

Denoncimi për eksportin e mbetjeve u bë fillimisht nga organizata joqeveritare e kontrollit botëror të mbetjeve toksike, “Basel Network Center” dhe më pas u publikua nga media ndërkombëtare “Bloomberg”, e cila vuri në lëvizje autoritetet./abcnews.al