Lundrimi i një anijeje me emigrantë drejt brigjeve të Lampeduzës ka futur në konflikt Italinë me Gjermaninë. Duke qenë se bëhet fjalë për një anije gjermane, ministri i Brendshëm italian Mateo Salvini ka deklaruar se nuk do ta lejojë atë të hyjë në portet italiane dhe i ka bërë thirrje Berlinit të zgjidhë problemin.
Qeveria italiane i ka shkruar Gjermanisë, duke i kërkuar që të zgjidhë problemin e anijes së një organizate joqeveritare gjermane, e drejtuar për në portin e Lampeduzës me emigrantë në bord. Dërgimi i letrës është konfirmuar nga vetë zëvendës kryeministri i Italisë, Mateo Salvini, i cili ka denoncuar dhe një herë rolin sipas tij negativ të OJQ-ve në ujërat e Mesdheut. “Varka është në pronësi gjermane, ka flamur gjerman dhe ekuipazh gjerman, ndaj është problemi i tyre dhe ata duhet ta zgjidhin”, ka deklaruar Salvini, i cili ndodhet në Paris në kuadër të samitit të vendeve të G7-s. Ministri i Brendshëm italian ka bërë me dije se i ka shkruar personalisht kapitenit të anijes se nuk do ta lejojë që të hyjë në ujërat territoriale italiane. Anija “Alan Kurdi”, që i përket OJQ-së gjermane “Syri i Detit”, ditën e mërkurë shpëtoi 64 emigrantë, përfshirë gra dhe fëmijë që kishin bërë thirrje për ndihmë pasi ishin nisur me varkë nga Libia. Nga Parisi, ku u takua me homologun e tij, Salvini ka përsëritur se sa i takon emigracionit është në të njëjtën linjë me lideren e Frontit Nacional, Marin Lë Pen. Kjo e fundit ka deklaruar se do të takohet me Salvinin, të cilin e ka cilësuar aleatin e saj, ditën e premte. /abcnews.al