Anija kozmike indiane hyn në orbitën e Hënës, synon të eksplorojë polin jugor

schedule16:14 - 5 Gusht, 2023

schedule 16:14 - 5 Gusht, 2023

Anija kozmike indiane Chandrayaan-3 ka hyrë në orbitën hënore, ka thënë agjencia hapësinore e vendit.

Anija kozmike me një orbiter dhe rover u ngrit më 14 korrik dhe është planifikuar të ulet në sipërfaqen hënore më 23 ose 24 gusht.

Nëse do të ketë sukses, India do të jetë vendi i parë që do të zbarkojë pranë polit jugor të paeksploruar të Hënës.

India do të jetë vendi i katërt që do të ulë anije kozmike në Hënë, pas SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.

Ky është misioni i parë pas 13 viteve për Indinë. Në vitin 2008 vendi zbuloi praninë e molekulave të ujit në sipërfaqen e tharë hënore dhe vërtetoi se Hëna ka një atmosferë gjatë ditës.

Chandrayaan-2 – i cili gjithashtu përfshinte një orbiter dhe rover, u lëshua në korrik 2019, por ishte vetëm pjesërisht i suksesshëm. Orbiteri i tij vazhdon të qarkullojë dhe studiojë Hënën edhe sot, por lender-rover nuk arriti të bëjë një ulje dhe u rrëzua.

Shefi i Organizatës Indiane të Kërkimeve Hapësinore (Isro) Sreedhara Panicker Somanath ka thënë se ata kanë studiuar me kujdes të dhënat nga rrëzimi i saj dhe kanë kryer ushtrime simulimi për të rregulluar defektet në Chandrayaan-3, i cili peshon 3,900 kg dhe kushton 6.1 miliardë rupi (75 milion dollarë).

Të martën, Isro postoi në Twitter se anija kozmike kishte përfunduar orbitat e saj rreth Tokës dhe ishte nisur drejt Hënës.

Tani që anija ka hyrë në orbitën e Hënës, shkencëtarët do të fillojnë të reduktojnë gradualisht shpejtësinë e raketës për ta sjellë atë në një pikë që do të lejojë një ulje për Vikram.

Sapo të ulet, roveri me gjashtë rrota do të hidhet dhe do të nis kërkimin rreth shkëmbinjve dhe kratereve në sipërfaqen e Hënës, duke mbledhur të dhëna dhe imazhe thelbësore për t’u dërguar përsëri në Tokë për analizë.

“Roveri mban pesë instrumente të cilat do të fokusohen në zbulimin e karakteristikave fizike të sipërfaqes së Hënës, atmosferës afër sipërfaqes dhe aktivitetit tektonik për të studiuar atë që ndodh nën sipërfaqe. Unë shpresoj se ne do të zbulojmë diçka të re”, ka thënë Somanath.

Poli jugor i Hënës është ende kryesisht i paeksploruar – sipërfaqja që mbetet në hije është shumë më e madhe se ajo e polit verior të Hënës, dhe shkencëtarët thonë se kjo do të thotë se ekziston mundësia e ujit në zonat e errëta.

India nuk është i vetmi vend që ka një sy në Hënë – ka një interes global në rritje për të. Dhe shkencëtarët thonë se ka ende shumë për të kuptuar në lidhje me Hënën që shpesh përshkruhet si një portë për në hapësirën e thellë.

/abcnews.al