Anëtarja e KPK, Etleda Çiftja merret e pandehur nga SPAK

schedule22:38 - 4 Qershor, 2022

schedule 22:38 - 4 Qershor, 2022

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka marrë të pandehur anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, Etleda Çiftija. Koordinatorja për mediet në SPAK, Xhuljeta Krasta sqaroi për BIRN se ndaj Etleda Çiftjas rëndojnë akuzat “deklarim i rremë” dhe “falsifikim” në formë përdorimi. Po ashtu, Krasta sqaroi se deklarimi i rremë është kryer nga Çiftja në komisionet e përzgjedhjes së saj për një pozicion në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Komisionerja Etleda Çiftja nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjes për koment që BIRN i drejtoi nëpërmjet koordiantores për mediet në KPK, lidhur me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme ndaj saj.

Etleda Çiftja është anëtarja e tretë e institucioneve të vetingut që procedohet penalisht dhe merret e pandehur nga SPAK. Më parë janë proceduar anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, ky i fundit i shkarkuar pasi u dënua me vendim të formës së prerë për falsifikim të formularit të aplikimit që mundësoi zgjedhjen e tij si anëtar i Kolegjit.

Edhe Hajdari u kallëzua penalisht për të njëjtin fakt, si dhe për fshehje të ardhurash. Rreth dy javë më parë SPAK i ka kërkuar gjykatës respektive gjykimin e Ardian Hajdarit për veprat penale “fshehje e të ardhurave” dhe “…deklarim të rremë të pasurisë…”, ndërsa u pushua procedimi për “falsifikim të dokumenteve” me argumentin se dy akuzat e para e përfshijë në vetvete.

Në faqen online të KPK-së sqarohet se Etleda Çiftja është diplomuar si juriste në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Aty thuhet se ajo ka punuar më shmë se 16 vite si juriste, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave, kuadrit rregullator për lejet dhe licencat në fusha të ndryshme të ligjit. Po ashtu, ajo mban titullin “Avokat” që nga viti 2001. Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit./BIRN