Aneksimi i 4 rajoneve të Ukrainës, një moment kritik për botën

schedule09:13 - 12 Tetor, 2022

schedule 09:13 - 12 Tetor, 2022

Nga Alissa de Carbonnel, The Guardian

Aneksimi i planifikuar nga Vladimir Putin i 4 rajoneve të Ukrainës pas referendumeve të rrem është një moment po aq i rrezikshëm në luftë, sa edhe spektakli televiziv maratonë që i parapriu pushtimit rus në shkurt.

Natyrisht, gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç i kishte menduar Putin.

Në shkurt, ai u përpoq ta justifikonte pushtimin me një fjalim plot mllef, të shoqëruar me terma juridike, dhe me një shfaqje të regjistruar paraprakisht të mbështetjes nga drejtuesit kryesorë të vendit.

E vetmja gjë e vërtetë në përpjekjen e Putinit për ta inkuadruar “operacionin special ushtarak” si diçka tjetër përveç një agresioni të hapur ndaj një vendi fqinj, ishin udhëzimet poshtëruese të Putinit sesi duhej të fliste kreu i shërbimit sekret, Sergei Narishkin, që në një moment e injoroi skenarin e përgatitur duke u shprehur se e mbështeste bashkimin e Rusisë me republikat separatiste në Ukrainën Lindore, raporton abcnews.al.

Me pushtimin e saj, Rusia kishte planifikuar të rrëzonte me shpejtësi qeverinë në Kiev, të pushtonte një pjesë të madhe të territorit, dhe të ushtronte ndikim të fortë mbi Ukrainën, ndoshta duke vendosur disa trupa atje.

Por rezistenca e ashpër e Ukrainës, që kulmoi me rimarrjen e territorit në rajonin e Harkiv e ka shqetësuar shumë Kremlinin, duke e detyruar të nxitojë me zbatimin e planit  B.

Referendumet e rreme në zonat e kontrolluara nga Rusia në Donetsk Luhansk, Herson dhe Zaporizhzhia ishin të nxituara. Ato u mbajtën nën kërcënimin e armëve, dhe teksa aty pranë dëgjohej shpërthimi i predhave.

Atyre u mungonte spektakli buraforik i të ashtuquajturave referendume të ngjashme që u zhvilluan në Krime në vitin 2014, të cilat u shoqëruan të paktën me përpjekjen për të joshur votuesit me premtime për pensione më të larta.

Këtë here, Kremlini duket se ka hequr dorë nga të gjitha formalitetet, duke zgjedhur brutalitetin.

E pse duhet ta vrisnin mendjen për fasadën?

Këto referendume kishin një axhendë të brendshme dhe ndërkombëtare. Dhe audienca kryesore e Putinit është në Rusi.

Një ditë pas lajmeve për referendumet, ai urdhëroi mobilizimin e pjesshëm ushtarak, një lëvizje shumë jopopullore, të cilën Rusia e kishte shmangur prej muajsh, pavarësisht mungesës së burimeve njerëzore në front.

Fushatave ruse të keqinformimit nuk u është dashur gjithmonë të jenë të sofistikuar për të qenë të besueshme për një pjesë të popullsisë. Por në këtë rast njerëzve që u kërkohet të vrasin ose të vdesin  ose të dërgojnë të dashurit e tyre për ta bërë këtë janë më të prirur që të pyesin për arsyen, raporton abcnews.al.

Me gjithë shtypjen e ashpër të Rusisë ndaj disidencës, protestat kanë shpërthyer në të gjithë vendin dhe të paktën 200.000 rusë janë larguar nga vendi që nga njoftimi i Putinit, shpesh duke shpenzuar gjithë kursimet e jetës për biletat e avionit apo duke pritur për orë të tëra në radhë në kufi.

Me një të rënë të lapsit, aneksimi synon ta transformojë konfliktin nga një “operacion special ushtarak” në një betejë për të mbrojtur territorin e Rusisë, dhe jo të Ukrainës.

Në nivel ndërkombëtar, objektivi tjetër është përshkallëzimi i përplasjes me mbështetësit perëndimorë të Ukrainës. Njoftimi i Putinit për mobilizimin, u shoqërua me kërcënimin e sulmeve bërthamore nëse Ukraina do të vazhdojë të çlirojë territoret e pushtuara.

Putin po synon t’i bëjë të besueshme kërcënime të tilla. Po ashtu ato shërbejnë për të nxitur narrativën e rreme të luftës që po përhap Rusia përmes mediave sociale dhe diplomacisë dixhitale jashtë vendit.

E gjithë kjo përbën një fazë të re të rrezikshme të luftës. Ukraina po lufton për mbijetesën e saj. Ajo nuk është e shqetësuar për përshkallëzimin e luftës, dhe nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Mbështetësit e saj perëndimorë druhen me të drejtë se konflikti do të çojë në një përplasje NATO-Rusi.

Por përpjekjet e Putinit për të përshkallëzuar luftën do të nxisin rritjen e mbështetjes perëndimore, pikërisht në një kohë kur ajo rrezikonte të zbehej, teksa politikanët po përballen me problemet e inflacionit dhe energjisë.

Pra lufta do të vazhdojë.

Putin ka hequr dorë nga diplomacia. Rusia mund të përgatisë forcat e saj për një sulm të ri në dimër. Nëse pushton territore të reja, mund të kërkojë përsëritjen e referendumeve të paligjshme atje.

Dhe ajo që është edhe më alarmante, mund të zgjerojë objektivat e saj të goditjes në Ukrainë ose në një lëvizje të dëshpëruar, mund të veprojë kundër kërcënimit bërthamor të Putinit.

Udhëheqësit amerikanë dhe europianë kanë absolutisht të drejtë që i cilësojnë kërcënimet e Moskës si një katastrofë të rrezikshme për vetë Rusinë, dhe i denoncojnë me shpejtësi referendumet si të rreme, raporton abcnews.al.

Ky është një moment kritik për botën, përfshirë mediat dhe kompanitë e mëdha të teknologjisë, që duhet të dyfishojnë përpjekjet në kundërshtimin e fushatave ruse të keqinformimit.

Dhe në vend se t’i fajësojnë rusët, sidomos ata që kanë ikur nga Rusia për të mos u angazhuar në një luftë me të cilën nuk janë dakord, vendet europiane duhet t’u ofrojnë atyre një strehë të sigurt.

Tek e fundit, shtetet perëndimore duhet të vazhdojnë të ecin në shtegun e ngushtë e të rrezikshëm, midis mbështetjes ndaj Ukrainës dhe përshkallëzimit të rrezikshëm të përplasjes me Rusinë.

Sa më të rënda të jenë provokimet e Rusisë, aq më e rëndësishme do të jetë përgjigjja me maturi, unitetit dhe vendosmëri, të cilat e kanë karakterizuar reagimin e Perëndimit deri më sot.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!