ANEKDOTA E DITËS/ Goli më i rrallë në Superiore mban firmën e Bakajt dhe një arbitri

schedule11:00 - 16 Mars, 2021

schedule 11:00 - 16 Mars, 2021

Një herë e një kohë kishte fusha sportive ku ishte e pamundur të fitoje. Shquheshin Industriali dhe Shkumbini, që në Laç e Peqin kishin ngritur “kalatë” e tyre dhe të triumfoje në një ndeshje futbolli ishte mrekulli.

Vitet e fundit miti i fushave ka rënë dhe të fitosh jashtë është shumë më e lehtë. Madje në ndonjë rast mund edhe të të dhurojnë ndonjë gol, siç ka ndodhur në Gjirokastër në një duel mes Luftëtarit vendas dhe Kukësit në tetor të vitit 2017.

“Asistues” u bë një tifoz – në fakt ishte arbitër te moshat, quhet Gerti Memisha – nga shkallët e stadiumit, i cili i bëri lëmsh futbollistët në fushë. Vërshëllima e tij me bilbil ndaloi sulmuesin Sindrit Guri, i cili mori një top pas shpinës së mbrojtjes së Luftëtarit. Shkodrani u frenua në atë moment.

E njëjta gjë ndodhi edhe me mbrojtësit e skuadrës gjirokastrite, ndërkohë që gjyqtari Andi Koçi shtangu dhe sinjalizoi që loja të vazhdonte, pasi ai nuk kishte vërshëllyer asgjë. Guri reagoi menjëherë dhe pasoi por Elis Bakajn, i cili shënoi një nga golat më të rrallë të shënuar në Superiore.

Vetë sulmuesi, pas ndeshjes deklaronte: “Ishte një moment i çuditshëm dhe nuk më kishte ndodhur kurrë. As në Europë nuk e kam parë. Nëse Guri do e kishte vazhduar aksionin, do e kishte shënuar.

Arbitri tha ‘vazhdo’ dhe i thashë gurit të më lërë topin dhe shkova dhe shënova. Ndonjëherë sulmuesit edhe kur janë ‘offside’, prej instinktit të tyre shkojnë dhe shënojnë drejt portës”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!