Andi Maloku ish punonjës policie, i hetuar për disa konflikte

schedule19:08 - 1 Nëntor, 2019

schedule 19:08 - 1 Nëntor, 2019

Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoji i ka shpëtuar një atentati me armë pasditen e sotme. Mjetit të prokurorit Arjan Ndoji i është zënë pritë në orën 16:30 minuta tek mbikalimi i Shkozetit nga autorë ende të paidentifikuar. Në makinë ndodhej vetë prokurori Arjan Ndoji,  shoferi i prokurorit Andi Maloku dhe Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”. Mësohet se atentatorët po ecnin paralelisht me mjetin e prokurorit me targa AA 333 ZD, kur kanë qëlluar me breshëri arme në drejtim të tyre. Për pasojë ka mbetur i plagosur prokurori dhe dy personat që ishin në makinë. Prokurori ka marrë vetëm dy plumba ndërsa shoferi i tij, Andi Maloku dyshohet se është qëlluar me 24 plumba dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Traumës në Tiranës.

Gazetari i ABC News Andi Qosja raporton se Andi Maloku ka qenë ish punonjës policie në Kruje dhe i hetuar më parë për disa konflikte.

Prokurori Ndoji dhe “Rrumi” ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Durrësit. Forca të shumta policie kanë rrethuar spitalin ku janë të shtruar dy prej të plagosurve. Policia ende vazhdon të qëndroje tek mbikalimi i Shkozetit për të mbledhur të gjitha provat që mund të çojnë në identifikimin e atentatorëve.

Për zbardhjen e krimit mafioz është ngritur një grup i posaçëm hetimor nga departamenti i Policisë kriminale, prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

Nga burime të ABC News mësohet se është identifikuar automjeti i autorëve dhe policia është drejt identifikimit të tyre. Pas ngjarjes së rëndë drejt qytetit të Durrësit kanë mbërritur drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Aty kanë shkuar kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe kryeprokurorja Arta Marku dhe drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Dyshohet se atentati ka ndodhur për shkak të detyrës së prokurorit. Ndërsa Land Muharremi njihet si një person me precedentë penale në zonën e Shijakut. 48 vjeçari ishte ndaluar edhe për dhunimin e biznesmenit libanez Fadi Mitri që do investonte në Durrës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!