Analiza në Pressing/ “Tirana iu rikthye gafave të vjetra, sekreti i tyre ishte tjetër vjet”

schedule23:36 - 2 Nëntor, 2020

schedule 23:36 - 2 Nëntor, 2020

Tema e diskutimeve në emisionin “Pressing” ka kaluar te Tirana, kampionët në fuqi të Shqipërisë. Trajnerët Sulejman Starova dhe Nevil Dede shprehin mendimin e tyre në lidhje me situatën e bardhebluve, teksa një analizë jep edhe Andi Matraxhiu, menaxheri shqiptar i futbollit.

STAROVA – “Frika është Covidi, jo dëmtimet. Po shohim shumë të infektuar nëpër botë. Ndeshjet e Kupës ishin modeste për skuadrat favorite. Problemi është a do zënë vend në formacion blerjet e Tiranës? Mund të ndodhë si te Partizani, që investoi gabim dhe blerjet mbeten rezerva. Ky është kurioziteti për t’u parë. Tirana e pati suksesin që mori tre lojtarët më të mirë vjet; Bathën, Cale dhe Torassën, për të cilët u interesuan edhe Laçi me Partizanin. Sivjet vepruan ndryshe dhe përsëritën gabimin e vjetër”.

DEDE – “Janë dënuar dy lojtarë të Tiranës si masë disiplinore, me nga katër javë, Batha dhe Torassa. Akoma nuk është profilizuar saktë një skuadër, do kemi një mendim më të qartë pas javës së 3-4. Tirana ka marrë 4 ganezë dhe 2 nga Maqedonia e Veriut. E kam parë shumë si ekip. Në këtë periudhë pauze ka shumë dëmtime, kjo më bën përshtypje. Më vjen keq kur dëgjoj që Çelhaka është dëmtuar, është operuar Cale. Më erdhi mirë edhe që Bregu nuk i humbi kampionatit shqiptar. Më të mirët duhet të luajnë në Superiore. Drejtuesit e dinin që Cale do të operohej. Shoh që Ngoo nuk është zëvendësuar akoma“.

MATRAXHIU – “Tirana do kohë të analizohet. Në Ganë dhe Maqedoni morën lojtarë. Ata rrezikuan para dy vitesh me ata. Kthehemi një sezon më parë. Morën lojtarë nga kampionati shqiptar. Tani janë kthyer te një sëmundje e vjetër. Është një risk, por duhet parë. Po ndodh si me Partizanin. Ndryshuan dorën e kuzhinierit, kur e kishin të mirë. Ish-trajneri Mema kishte meritat e tij, pasi mori disa lojtarë si Cale. Lojtarët maqedonas mund të jenë shumë të mirë, por duhet kohë ta njohin kampionatin tonë sikurse Cale e Torassa që morën verën e shkuar”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!