Analiza/ Izraeli dhe OKB, një marrëdhënie e vështirë

schedule08:18 - 30 Tetor, 2023

schedule 08:18 - 30 Tetor, 2023

Zemërimi izraelit ishte i menjëhershëm: Antonio Guterres ka kaluar “vijën e kuqe” dhe “ka justifikuar aktet mizore të Hamasit”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Izraelit. Edhe reagimi nga Memoriali i Holokaustit Yad Vashem ishte i tronditur; Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan kërkoi madje dorëheqjen e menjëhershme të Sekretarit të Përgjithshëm; qeveria në Jeruzalem bëri të ditur se do të refuzojë vizat për përfaqësues të OKB-së.

Guterres më parë kishte dënuar ashpër sulmin e përgjakshëm të Hamasit kundër Izraelit, në të njëjtën kohë kishte thënë, se ky nuk u zhvillua në “një hapësirë boshe”, palestinezët vuajnë prej dekadash nën “pushtimin shtypës” nga Izraeli dhe Izraeli në Gazë “shkel të drejtën ndërkombëtare humanitare”. Fjalët e Guterres shkaktuan një reagime të forta politike, në Këshillin e Sigurimit reagimet ishin të ashpra, përfaqësuesit aty e mbuluan njëri-tjetrin me akuza të “mungesës së empatisë” dhe “proporcionalitetit të gabuar”. Guterres vetë u tregua “i shokuar” dhe u ndje “i interpretuar gabimisht”.

Rezolutat e sigurisë pa shans

Përçarja e thellë që e ndan në dy kampe OKB u duk pak më vonë në Këshillin e Sigurimit. Aty ishin shtruar dy rezoluta për debat. Në të vërtetë ndiqnin të dyja të njëjtin qëllim: të heshtnin armët, për të mundësuar furnizimin me ndihma humanitare tëRripit të Gazës të rrethuar. Por rezoluta e parë e sjellë nga SHBA kërkonte vetëm ndalimin e shkurtër të shkëmbimit të zjarrit, njohjen e të drejtës izraelite për vetëmbrojtje dhe fundin e armatosjes së grupeve militante si Hamasi në Gaza. Hamasi kategorizohet nga SHBA, BE, Gjermania e disa vende arabe si organizatë terroriste. Por kjo rezolutë dështoi me veton e Rusisë dhe Kinës. Të dy vendet në rezolutën e tyre kërkuan armëpushim dhe tërheqjen e kërkesës izraelite ndaj civilëve që të shkojnë në jug para një ofensive tokësore të pritur në Gaza. Kjo u bllokua nga SHBA dhe Britania e Madhe. Nuk dihet, nëse do të ketë ujdi për këtë.

Konflikti i pandërprerë i Lindjes së Mesme

Për asnjë rajon krize në botë nuk janë miratuar kaq shumë rezoluta të OKB-së sa për Izraelin dhe territoret palestineze. Marrëdhëniet mes Izraelit dhe OKB-së janë prej kohësh të tensionuara. Pasi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ka një shumicë stabël dhe të vazhdueshme vendesh që e vendosin rregullisht në rend të ditës situatën e palestinezëve  dhe shprehen shumë kritika ndaj Izraelit. Krahas vendeve myslimane këtu renditen edhe një sërë vendesh të “jugut global”.

Gjermania në votën e saj orientohet si rregull nga pozicioni i përbashkët i BE dhe voton në varësi të problematikës. Vetëm SHBA voton gjithmonë në favor të Izraelit. Kështu sipas organizatës joqeveritare në Gjenevë, UN Watch, Asambelja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vetëm në vitet 2015 dhe 2022 ka miratuar 140 rezoluta kritike ndaj Izraelit, si për shembull ato në lidhje me zgjerimin e ngulimeve apo anektimin e Lartësive Golan. Për krahasim: Në të njëjtën periudhë për të gjitha rajonet e botës në tërësi ka pasur vetëm 68 rezoluta të tjera, vetëm 5 prej tyre lidheshin me Iranin. Prandaj Izraeli prej kohësh ndjehet i trajtuar jo në mënyrë të barabartë nga OKB. Ndoshta edhe për këtë arsye reagimi i Izraelit pas fjalimit të Sekretarit të Përgjithshëm ishte kaq i ashpër.

Rezoluta nuk është njësoj rezolutë

Në këtë kontekst duhet thënë se rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk janë të detyrueshme, ato tregojnë vetëm linja apo qëndrime të shteteve të bashkësisë ndërkombëtare për tema të caktuara konflikti vendoset me shumicë dy të tretat nga Asambleja. Në Këshillin e Sigurimit rezolutata janë të detyrueshme nga ana e së drejtës ndërkombëtare, ato drejtohen ndaj shteteve apo palëve në konflikt, që rrezikojnë sigurinë ndërkombëtare apo shkelin të drejtën ndërkombëtare apo të drejtat e njeriut. Por ato mund të bllokohen nga vetoja e një anëtari të përhershëm të KS. Këtu SHBA qëndron me dorë mbrojtëse mbi qeverinë në Jeruzalem: Uashingtoni e përdor rregullisht të drejtën e vetos në lidhje me Izraelin.

Kjo ka sjellë një situatë të tillë, ku nga 140 rezolutat kritike për Izraelin të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nga viti 2015 deri më tani vetëm një është vendosur nga KS. Në vitin 2016 instanca më e lartë e OKB-së kërkoi ndalimin e zgjerimit të ngulimeve izraelite në zonat e pushtuara. Edhe këtu SHBA nuk votuan për rezolutën, por abstenuan. Ndërkohë në Asamble po merr udhë rezoluta e 141 e sjellë nga Jordania dhe disa vende arabe të premten e kaluar. Aty kërkohet armëpushim i menjëhershëm dhe qasje e pakufizuar e ndihmave humanitare në Gaza. Izraeli aty përcaktohet si “fuqi pushtuese”, nuk përmendet e drejta e tij për vetëmbrojtje, gjë që u kritikua shumë ashpër nga ambasadori izraelit në platformën X.

Marrëdhënie me ditë të mira e ditë të këqija

Nga ana tjetër nuk duhet harruar se Kombet e Bashkuara ishin lloj “ndihmëse të lindjes së Izraelit” si shtet. Në vitin 1947 Asambleja e Përgjithshme -pavarësisht rezistencës së vendeve arabe – votoi planin e ndarjes së Palestinës të OKB dhe hapi rrugën kështu për themelimin e shtetit të Izraelit një gjysmë viti më vonë. Atëkohë Kombet e Bashkuara përbëheshin nga 57 shtete anëtare. Kjo shifër u rrit pas dekolonializimit, shumë shtete në zhvillim iu bashkuan OKB-së dhe ndryshuan kështu pikërëndesat politike të Asamblesë.

Pas Luftës Gjashtëditore dhe pushtimin si pasojë nga ana e Izraelit të zonave palestineze në vitin 1967 marrëdhëniet mes OKB-së dhe Izraelit u keqësuan. Që atëherë është rritur numri i rezolutave kritike të Asamblesë ndaj Izraelit. Nga ana tjetër vitet e fundit ka pasur disa hapa diplomatikë për afrimin më të madh të Izraelit me OKB. Në vitin 2012 për herë të pas ky vend mori postin e zëvendëspresidentit të Asamblesë së Përgjithshme. Në vitin 2016 Izraeli pati postin e kreut të Komisionit të Ligjeve. Megjithatë marrëdhënia mes Izraelit dhe Kombeve të Bashkuara mbeti e tensionuar, dhe shkallëzoi ndjeshëm pas fjalimit të Guterres

. Portugezi 74 vjeçar asnjëherë nuk nihej si shumë kritik mndaj Izraelit, përkundrazi: në vitin 2020 Kongresi Botëror Hebreaik e nderoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e tij me çmimin “Theodor Herzl”. “Për shumë vite”, thuhet në fjalimin e mbajtur nga presidenti i Këshillit, Ronald Lauder, “Ju keni treguar, se jeni një mik i vërtetë dhe i përkushtuar i popullit hebre dhe shtetit të Izraelit”. Tani për tani kanë marrë fund kohët për fjalë të tilla të ngrohta./ DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!