Qytetarët që janë ndëshkuar gjatë periudhës së pandemisë do të marin mbrapsht shumën e paguar të gjobave, patentat si dhe automjetet e bllokuara deri në 15 maj.
Vendimi i publikuar në fletoren zyrtare parashikon që të falen të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, që janë vendosur nga momenti i konstatimit të sëmundjes COVID-19 në vend deri në datën 17.4.2020.
Kthimi i shumës së detyrimit të falur, por të paguar, për masat administrative me gjobë, do merret nga zëri përkatës i buxhetit të shtetit apo buxhetit të institucionit në të cilin është arkëtuar shuma dhe kalohet në mënyrë automatike në llogarinë bankare të individit.
Ndërkohë të gjitha institucionet shtetërore duhet të përgatisin listat e personave ndaj të cilëve është vendosur masa administrative me gjobë, duke përfshirë shumën si dhe të dhënat e nevojshme për kthimin e saj brenda datës 30 prill 2020. Në të njëtën mënyrë do të veprohet edhe për lejet e qarkullimit rrugor dhe mjetet e bllokuara, të cilat duhet të kthehen brenda datës 15 maj 2020 te subjekti përfitues.
Nga ky vendim pritet të përfitojnë mbi 7 mijë këmbësorë që janë gjobitur pasi kanë shkelur rregullat dhe rreth 2 mijë drejues automjetesh.
Gjobat që do të falen
7107 gjoba për këmbësorët
1941 gjoba për drejtues automjeti./abcnews.al