Amerika “blindon” ushtrinë shqiptare

schedule12:20 - 30 Tetor, 2021

schedule 12:20 - 30 Tetor, 2021

Ambasada e SHBA-së në Tiranë njofton se Amerika i ka dhënë Shqipërisë një milion dollarë donacione në dy vitet e fundit për fuqizimin e Forcave të Armatosura.

Zëvendës Shefi i Misionit Demian Smith dhe Shefi i Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje LTC Erol Munir morën pjesë në një ceremoni dhurimi në Batalionin e Inxhinierëve të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Ambasada thekson se gjatë dy viteve të fundit, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara ka investuar rreth një milion dollarë në rinovimin e dy tuneleve të ruajtjes së municioneve, si dhe pajisje dhe trajnime për Forcat e Armatosura Shqiptare.

“Është frymëzuese të shikojmë pas në tridhjetë vitet e fundit dhe të shohim se sa shumë kemi arritur. Një nga pjesët më të rëndësishme të marrëdhënies sonë ka qenë partneriteti i jashtëzakonshëm në fushën e mbrojtjes. Kush do ta kishte imagjinuar tridhjetë vjet më parë,  se sot do të ishim aleatë në NATO dhe ushtritë tona do të bënin kaq shumë së bashku këtu dhe në mbarë botën”, tha Zëvendës Shefi i Misionit Smith gjatë ceremonisë.

Shefi i Mbrojtjes së Shqipërisë, Gjeneral Major Bajram Begaj, falënderoi Shtetet e Bashkuara për ndihmën ndaj ushtrisë shqiptare dhe zbuloi pllakatën në përkujtim të punës dhe bashkëpunimit të jashtëzakonshëm./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!