Pas pranimit të dekretit presidencial që ktheu në tërësi si antikushtetues ligjin e miratuar në parlament për zhvillimin urban të zonës dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, komisioni i veprimtarisë prodhuese miratoi disa amendamente, të cilat pritet të miratohen në parlament përmes një procedure që nuk figuron në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë.
Në seancën plenare të 20 Shtatorit pritet votimi në parlament i amendamenteve “Beqja” mbi ligjin special për Teatrin Kombëtar.
Amendamentet në fjalë, të njoftuara, propozuara dhe miratuara pa lajmërim paraprak, pa depozitim në Kuvend sipas rregullores dhe pa u përfshirë në rendin e ditës së komisionit as për diskutim e as për votim, u lajmëruan vetëm pas nisjes së mbledhjes në komisionin e veprimtarisë prodhuese.
Kjo edhe pasi mazhoranca pranoi dekretin presidencial që ktheu në tërësi ligjin për Teatrin Kombëtar si antikushtetues dhe në shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Kemi arritur sot me një draft-propozim që do ta shqyrtojmë në komision në lidhje me amendimet që do të bëjmë për këtë ligj”, tha Shalsi.
“Sapo votuat pranimin e dekretit të Presidentit. Ligji që e votuat në Korrik ka rënë, ska me ligj. Ky zotëria këtu po fut disa amendamente. Amendamente të të cilit ligj? Atij që ka rënë”, tha Alibeaj.
Kjo thyerje e hapur e rregullores së Kuvendit nuk ndaloi socialistët t’i miratonin në komision këto amendamente, të cilave i mungojnë edhe firmat e deputetëve propozues si dhe relacioni shpjegues.
Qëllimin për votimin e këtyre amendamenteve në parlament e njoftoi Eduard Shalsi.
“Nuk bëmë gjë tjetër vetëm se miratuam dekretin e Presidentit me amendamentet e propuzuara. Ne jemi sot me një draft që do t’uia p[ropozojmë seancës plenare. Ditën e enjte do ta shqyrtojmë me amendime. Nuk do bëjmë asnjë gjë që nuk është bërë më parë”, tha Shalsi.
Këto amendamente nuk figurojnë në rendin e ditës së seancës plenare të 20 Shtatorit as për diskutim e as për votim, por kjo nuk ndaloi miratimin e tyre në komision, gjë që lë të mendohet se historia do të përsëritet edhe në sallën e parlamentit ditën e enjte./abcnews.al