Ambasadorja Kim thirrje urgjente për qytetarët që të pajisen me kartë identiteti të rinovuar

schedule19:09 - 6 Janar, 2021

schedule 19:09 - 6 Janar, 2021

Të gjithë atyre që u ka skaduar karta e identitetit ose u është drejtë skadimit, ambasadorja amerikane, Yuri Kim u bën thirrje urgjente për ta rinovuar atë.

Thirrja e saj vjen në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit, ku karta e identitetit është mjet i domosdoshëm për të shprehur vullnetin në kutinë e votimit.

“Shumë urgjente që të gjithë qytetarët të marrin kartat e reja të identifikimit, në mënyrë që të marrin shërbimet dhe të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit. Lëshimi i kartave të reja biometrike të identifikimit është pjesë thelbësore e marrëveshjes së qershorit mbi reformën zgjedhore. Ju lutem, mos prisni derisa të jetë tepër vonë – merrni kartat tuaja të reja të identifikimit ‘tani’ në mënyrë që të votoni në 25 prill”, shkruan ambasadorja amerikane.

Ky apel i ambasadores amerikane është shpërndarë nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

“Faleminderit @USAmbAlbania që i nxit qytetarët për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 Prillit. Ne presim një ndryshim të madh prej këtyre zgjedhjeve dhe të gjithë votuesit duhet të sigurohen që kanë kartë identiteti apo pasaportë biometrike të vlefshme për të marrë pjesë në votime”, shton Kryemadhi.

Kësaj thirrjeje i është bashkuar dhe numri 2 I Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

“Pajisja me ID është akt patriotik për të larguar nga Shqipëria virusin “Rama” që na ka shkatërruar ekonominë. Identifikimi biometrik është i domosdoshëm. T’i japim shpresë vendit! Pajisuni me ID! Bëhuni pjesë e ndryshimit!”, shprehet Bardhi.

Zyrat për aplikim do jetë të hapura deri më 25 prill. Pajisja me kartë ID-je shërben dhe për përfitimin e dhjetëra shërbimeve që merren online në portalin e-Albania.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!