Paratë ruse “trazuan” politikën shqiptare, Ambasadorja Kim takon nesër Ballën dhe Alibeajn

schedule12:12 - 15 Shtator, 2022

schedule 12:12 - 15 Shtator, 2022

Ditën e nesërme, ambasadorja amerikane Yuri Kim do të takohet me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe atë të grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Burime për Abc bëjnë me dije se takimi me Ballën do të zhvillohet në orën 10:30 në Kryesinë e Kuvendit, ndërsa me Alibeajn në orën 11:30.

Fokusi i vizitës do të jetë i njëjtë me atë të mbledhjes së sotme në KQZ.

Ambasadorja Kim, paraditen e e sotme takoi komisionerin qendror të zgjedhjeve Ilirian Celibashi në KQZ. Të pranishëm në takim ishin edhe Damian Gjiknuri, Jorida Tabaku dhe Monika Kryemadhi.

Siç mësoi gazetarja Esiona Konomi, Kim ndodhej sot në KQZ për raportin e DASH për paratë ruse në partitë shqiptare.

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan.

Sipas zyrtarit që foli me median, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.

Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.

Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

/Abcnews.al/