Ambasadori serb në Kukës: Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi kanë hyrë në fazë të re

schedule11:45 - 28 Shkurt, 2019

schedule 11:45 - 28 Shkurt, 2019

Ambasadori serb në Tiranë deklaroi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë hyrë në një atmosferë të re bashkëpunimi  dhe kjo falë klimës pozitive . Sipas Miroljub Zariç një nga fushat ku ky bashkëpunim është shtrirë është edhe rinia ku ka shumë mundësi bashkëpunimi në arsim, kulturë dhe sport.

 Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë hyrë në një atmosferë të re bashkëpunimi dhe kjo falë klimës pozitive që është krijuar nga drejtuesit e dy qeverive, tha nga Kukësi Ambasadori Serb në Tiranë Miroljub Zariç.

“Është shumë e rëndësishme që të rinjtë nga Serbia dhe Shqipëria  janë takuar se pari në Serbi dhe tani në Shqipëri dhe kanë  vendosur miqësi të reja.  Jam i sigurt se  ata janë një përfaqësues të një ure të re bashkëpunimi në mes Serbisë dhe Shqipërisë. Një takim i tillë nuk mund të realizohej pesë vite më parë. Ky takim është vazhdimësi e një shpirti të ri,e një atmosferë të re të marrëdhënieve në mes dy vendeve tona. Kjo klimë është krijuar falë dy kryeministrave Vuçiç dhe Rama”.

Ambasadori Zariç foli pozitivisht edhe për marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve

“Në mes dy vendeve tona është vendosur një bashkëpunim të ri ku më rëndësishmja është ekonomia. Vitin e kaluar marrëdhëniet tregtare në mes Serbisë dhe Shqipërisë kapën shifrën e 191 milionë euro në një kohë kur në 2005 ishin   vetëm 41 milionë euro. Ka shumë mundësi bashkëpunimi për të rinjtë në arsim,sport e kulturë.”

Prej nëntë muajsh  organizata “Partnerë për Fëmijët” në Shqipëri në bashkëpunim me  organizatën serbe “Pomoc Deci” ka realizuar disa projekte sociale në Kukës dhe disa qytete të Serbisë në shërbim të komunitetit. Te rinjtë nga Kukësi dhe Serbia kanë ndarë përvojat e punës së tyre në partneritet. Miroljub Zariç i bëri këto deklarata gjatë konferencës rajonale përmbyllëse të projektit “Të rinjtë Shqiptarë dhe Serbë, së bashku për përfshirjen sociale” që u mbajt në qytetin e Kukësit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!