Ambasadori Lu takon Bashën, 2 ditë pas zgjedhjes së Kryeprokurores

schedule15:07 - 20 Dhjetor, 2017

schedule 15:07 - 20 Dhjetor, 2017

Dy ditë pas zgjedhjes së Kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, që u shoqërua me protesta të dhunëshme të opozitës jashtë dhe brenda Parlamentit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, është paraqitur në zyrën në kryedemokratit Lulzim Basha. Takimi mes tyre ka zgjatur më shumë se 1 orë e 30 minuta dhe mësohet se është kërkuar nga diplomati amerikan. Ambasada e SHBA-së e ka përshëndetur zgjedhjen e Arta Markut si Kryeprokurore e përkohshme, ndërsa ka dënuar dhunën me të cilën opozita protestoi, për atë që e cilëson si kapje të Prokurorisë nga mazhoranca përmes një puçi kushtetues. Përveç ngjarjeve që shoqëruan seancën parlamentare të së hënës, ajo që duket se ka vënë në lëvizje përfaqësuesin në Tiranë të Departamentit Amerikan të Shtetit, është njoftimi i opozitës për një valë protestash në vend duke filluar nga janari i ardhshëm. Pas këtij takimi, zyra e shtypit të PD-së njoftoi se Basha i kishte sugjeruar ambasadorit Lu se interesat e SHBA dhe të shqiptarëve mbrohen vetëm duke dënuar kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës dhe krimit. Pas Bashës, ambasadori Lu, zhvilloi një tjetër takim, këtë herë me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila, gjatë seancës së fundit të Parlamentit, u pa të godasë edhe më këpucë në drejtim të Kryeministrit Rama. Ky takim i dytë i diplomatit amerikan u zhvillua në selinë e LSI-së, zgjati 1 orë e 20 minuta dhe ishte përsëri i kërkuar prej tij. Zyra e shtypit pranë LSI njoftoi se Kryemadhi i kërkoi ambasadorit Lu një vlerësim objektiv të ngjarjeve më të fundit, për të evidentuar se shkaktare e dhunës brenda dhe jashtë Parlamentit, sipas saj, ishte mazhoranca./abcnews.al