Ambasadorët e BE dhe SHBA takojnë Olsian Çelën: Reforma në drejtësi përparësi kryesore

schedule16:51 - 11 Dhjetor, 2019

schedule 16:51 - 11 Dhjetor, 2019

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, dhe e ngarkuara me punë e SHBA-ve, Leyla Moses-Ones zhvilluan sot një takim me Prokurorin e ri të Përgjithshëm, Olsian Çela.

Me një shënim në Twitter, Soreca shkruan se në takim u diskutua për përparësitë kryesore të zyrës së re të Çelës, ndërsa shton se zgjedhja e tij si kryeprokuror “paraqet një hap tjetër të rëndësishëm përpara në zbatimin e reformës në drejtësi”.

“Së bashku me Leyla Moses-Ones sot takova Prokurorin e Përgjithshëm të sapozgjedhur Olsian Cela. Ne diskutuam përparësitë kryesore të zyrës së tij të re, përfshirë rolin kryesor të hetimeve financiare proaktive, veprimin e zyrave të prokurorisë në pas tërmetit, si dhe për fazën kalimtare drejt krijimit të SPAK. Zgjedhja e Z. Cela paraqet një hap tjetër të rëndësishëm përpara në zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është një përparësi kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”, shkruan Soreca.

Edhe Ambasada Amerikane ka njoftuar në rrjetet sociale takimin me Kryeprokurorin e Përgjithshëm Olsjan Çela ndërsa ka përsëritur mbështetjen e SHBA-ve për reformën në drejtësi.

“E Ngarkuara me Punë, a.i. Leyla Moses-Ones dhe Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca u takuan sot me Prokurorin e Përgjithshëm të sapozgjedhur Olsian Çela. E Ngarkuara me Punë përsëriti sërish mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi dhe rolin e rëndësishëm që institucionet e prokurorisë luajnë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Më herët gjatë ditës së sotme, kryeprokurori Çela zhvilloi një takim edhe me ambasadorin gjerman Peter Zingraf, i cili e vlerësoi zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri “si një hap thelbësor në zbatimin e reformës në drejtësi dhe do të konsolidojë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”./abcnews.al