Ambasada SHBA në Kosovë: Raporti për demarkacionin me Malin e Zi, i gabuar

schedule10:32 - 15 Nëntor, 2017

schedule 10:32 - 15 Nëntor, 2017

Ambasada amerikane në Prishtinë e ka cilësuar të pabazuar dhe të gabuar raportimin e së hënës të komisionit për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Ambasada amerikane paralajmëroi se zvarritja e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e zi, do të izolojë vendin

Për Ambasadën amerikane në Prishtinë raportimi i së hënës i anëtarëve të Komisionit për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi është i pabazuar, çorientues dhe i gabuar. Ambasada amerikane në reagimin e saj paralajmëron se vënia në dyshim e Marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me BE-në duke e lënë vendin të izoluar. Reagimi i saj vjen një ditë pasi Komisioni i Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi raportoi para Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian.

Ndër të tjera në reagimin e publikuar nga mediat kosovare shkruhet se Komisioni ka prezantuar të dhëna krejtësisht të pasakta dhe të gabuara. Anëtarët e Komisionit për Demarkacionin, duke mos i komentuar këto deklarata, thanë për “Zërin” se Komisioni nuk ka shkuar të raportojë për zbulime të reja para Komisionit për Integrime Evropiane, por të tregojë rreth punës që ka bërë ish-Komisioni paraprak. Komisioni i ri i drejtuar nga Shpejtim Bulliqi para dy ditësh tha se ish-Komisioni ka zhvendosur kufirin me Malin e Zi, duke bërë kështu që Kosova të humbasë territor, ndërsa sipas Ambasadës amerikane, marrëveshja aktuale paraqet një version të saktë dhe të konfirmuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!