Javën e ardhshme do të hapë dyert ambasada e Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem. Teksa përgatitjet janë drejt fundit, izraelitët shprehen të gëzuar, ndërsa palestinezët e konsiderojnë lëvizjen ilegjitime dhe të rrezikshme.
Përgatitjet për hapjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem po shkojnë drejt fundit. Të hënën, punëtorët vendosën tabelat sinjalistike në rrugët që të çojnë drejt selisë diplomatike, e cila pritet të hapë dyert javën e ardhshme.
Në fakt është konsullata amerikane në jug të Jeruzalemit që po rimodelohet si ambasadë e që pritet të funksionojë si e tillë prej 14 majit, pasi burimet njerëzore të jenë zhvendosur përfundimisht nga Tel Avivi.
“Kjo nuk është një ëndërr. Është realitet. Jam krenar dhe i prekur që këtë mëngjes isha i pari që instalova një nga tabelat e përgatitura për ambasadën amerikane”, komentoi kryebashkiaku i Jeruzalemit, Nir Barkat në Twitter.
Izraeli mori lindjen e Jeruzalemit nga kontrolli jordanez gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe e aneksoi atë. Disa muaj më parë presidenti Trump e njohu si kryeqytetin e Izraelit, por lëvizja e tij nuk u ndoq nga aktorë të tjerë të skenës politike ndërkombëtare. Nga ana tjetër, palestinezët vazhdojnë të kërkojnë shtetin e tyre dhe duan Jeruzalemin Lindor si kryeqytet.
Negociatori palestinez në bisedimet për paqen, Saeb Erekat ka deklaruar se, kjo lëvizje jo vetëm është e paligjshme por rrezikon të shkatërrojë arritjet e bisedimeve të paqes mes dy shteteve sovrane dhe demokratike, në bazë të kufijve të vitit 1967. Ndërkohë, vetë presidenti Donald Trump ka bërë të ditur se nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e 14 Majit./abcnews.al