AMA shtyn mbylljen e transmetimeve analoge

schedule18:32 - 11 Janar, 2019

schedule 18:32 - 11 Janar, 2019

Autoriteti i Mediave Audiovizive njoftoi se mbyllja e transmetimeve analoge televizive në qarqet Tiranë dhe Durrës shtyhet për në datën 1 Shtator 2019.

Në këto dy qarqe, ekzistojnë të dyja teknologjitë e transmetimit, si ato analoge ashtu edhe ato numerike. AMA sqaron se për familjet tashmë të pajisura me dekoder, vijojnë transmetimet dixhitale tokësore të cilat sigurojnë cilësi të lartë në 36 kanale televizive pa pagesë.

Ndërsa argumenton se kjo shtyrje afati erdhi për shkak se në qarqet Tiranë dhe Durrës është përqëndruar numri më i madh i banorëve dhe bazuar në të dhënat e deritanishme nga operatorët ekonomikë tregtarë, evidentohet se ende nuk është siguruar sasia e mjaftueshme e dekoderave të tipit DVB-T2.

AMA vijon të nxisë operatorët e tregut që të sigurojnë sasinë e mjaftueshme të këtyre pajisjeve. Ndërkohë, AMA po finalizon zbatimin e procesit të dixhitalizimit të transmetimeve televizive edhe në qarkun e Vlorës, ku është i njëjti afat i mbylljes së sinjalit analog, 1 Shtator 2019./abcnews.al