AMA anulon fikjen e sistemit analog në 1 Shtator

schedule13:54 - 29 Gusht, 2019

schedule 13:54 - 29 Gusht, 2019

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka anuluar fikjen në 1 Shtator të transmetimeve analoge, duke e shtyrë këtë proces edhe me 30 ditë. Me këtë vendim u jepet më shumë kohë qytetarëve, por dhe operatorëve audiovizivë, për t’u pajisur me aparaturat e nevojshme.

Autoriteti i Mediave Audiovizive anulon fikjen e sistemit analog të transmetimeve audiovizive në datën 1 Shtator. Pas një votimi unanim brenda autoritetit, kryetari Gentian Sala dha arsyet e kësaj vendimmarrjeje.

“Duke vlerësuar e faktin që në qarqet Durrës, Tiranë banon gjysma e popullsisë së Shqipërisë  me unanimitet bordi i AMA-s ka vendosur  shtyrjen e afatit të mbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Tiranë, Durrës, Vlorë me 30 ditë”, tha kreu i AMA-s.

Vendimi për të shtyrë me 30 ditë fikjen e transmetimeve analoge në qarqet Tiranë, Durrës dhe Vlorë AMA e ka marrë edhe pas një sondazhi të kryer. Kërkesa e Salës ishte si për qytetarët ashtu edhe për operatorët e transmetimeve.

“Ka rezultuar që ende një numër i lartë qytetarësh vazhdojnë të shikojnë në transmetimet analoge. Shtyrja me katër javë do u krijojë mundësi qytetarëve që të marrin masa që të përfitojnë nga shërbimet audiovizive dhe gjithashtu do u jepet mundësia operatorëve që të realizojnë në mënyrë sa më profesionale shitjen e këtyre aparaturave kundrejt qytetarëve”, tha Sala.

Një apel kreu i AMA e kishte edhe për qeverinë.

“T’i drejtohet qeverisë me kërkesë për ngritjen e menjëhershme të Komitetit Ndërinstitucional të Punës për ndjekjen e procesit të digjitalizimit, i cili nuk funksionon prej 2017-s për arsye që Ministria e Inovacionit që ekzistonte në atë kohë nuk është më në qeverinë e re të paszgjedhjeve”, tha Sala.

E diela e 1 shtatorit ishte përcaktuar si dita në të cilën do të bëhej kalimi nga sinjali analog në atë digjital për qarqet në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, hap që do pasojë me vendosjen në masë të marrësve digjitalë DVB T2./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!