Mbi 70 alpinistë shqiptarë dhe të huaj realizuan një ngjitje të vështirë në malin e Valbonës, në Alpet e Veriut. Gjatë itinerarit kaluan vështirësi të mëdha prej pranisë së borës dhe akullit.
Nuk mund të jetë diçka e lehtë në dimër.
Alpet shqiptare janë të vështira për t’u ngjitur edhe në kohë të mirë, jo më në një stinë kaq të ashpër sa këtë vit, por një grup I madh alpinistësh ia doli.
Ishin plot 72 ushtrues të këtij sporti, sa të bukur aq edhe të rrezikshëm, që e tentuan dhe e realizuan aventurën e tyre më të fundit.
Objektivi i alpinistëve, ndër të cilët kishte nga Shqipëria, Kosova, diaspora si dhe të huaj, ishte Maja e Borshit, siç e tregoi përpara nisjes presidenti i Federatës Shqiptare të këtij sporti, Jani Zizo.
“Na qoftë rruga e mbarë për ngjitjen e mjaës së Borshit 2416 metra. Itinerari do shkojmë në qafën e Zhaborës, do zbresim poshtë 100 metra dhe pastaj do ngjitemi në majë”
Ngjitja filloi në mbrëmje dhe vazhdoi për 6 orë, ndërsa pasi u mbërrit maja e malit në Valbonë, u deshën edhe rreth 6 orë të tjera për të zbritur në bazë.
Itinerari ishte shumë i vështirë siç e tregon ky alpinist nga Kruja.
“Ngjitja qe shumë e vëhstirë se ishte me akull gjithë rruga, sipër 2 metra borë”
Edhe një vajzë e ardhur nga jashtë Shqipërisë vlerësoi vështirësinë e ngjitjes, por theksoi edhe bukurinë e madhe të natyrës së Alpeve.
Në 12 orë ngjitje dhe zbritje, pjesëmarrësit u përballën edhe me orteqe dëbore, ndërsa disa nga alpinistët provuan rrëshqitjet e pavullnetshme, madje duke pasur edhe raste rreziku për jetën.
Leonard Laçi ishte njeriu që udhëhoqi grupin, ndërsa më i riu i grupit ishte Mario Dhimitri vetëm 15 vjeç nga Përmeti./abcnews.al