Allegri e tradhtoi me dikë tjetër, vajza e aktores italiane shpërthen keq në rrjetet sociale

schedule17:48 - 13 Tetor, 2021

schedule 17:48 - 13 Tetor, 2021

Ditën e sotme u konfirmua ndarja e njërit prej çifteve VIP në Itali. Pas 4 vitesh bashkë, edhe në bashkëjetesë, lidhja pasionante, me uljet dhe ngritjet e veta, mes Masimilliano Allegrit dhe Ambra Angiolinit ka përfunduar. Sigurisht, mediat italiane kanë rrëmuar edhe mbi shkakun e kësaj thyerjeje, e cila besohet të jetë tradhtia e trajnerit të Juventusit.

Partnerja e tij, aktore e njohur në Itali, pasi kishte bërë gjithçka që ta ruante këtë lidhje në momente të tjera krize më herët, kësaj radhe nuk e ka toleruar trajnerin bardhezi. Deri këtu gjërat kishin mbetur mes çiftit, por sot, shkuarja e gazetarëve të “Striscia la Notizia” në shtëpinë e saj në Milano, duke i dhënë “Tapiro d’Oro” në shenjë perzonazhi të radhës publik negativ, ka tërbuar vajzën e aktores.

Kjo e fundit, Jolanda, ardhur në jetë nga martesa e Ambra me këngëtarin e njohur italian, Francesco Renga, ka shpërthyer keq në rrjetet sociale. Ajo e ka më shumë me emisionin e njohur italian, që kërkon të bëjë humor me fatkeqësitë e të tjerëve, ndërsa mes rreshtave ngre pyetjen ekzistenciale sipas saj: Çfarë është e dënueshme mes besimit te dashuria dhe tradhtisë?

Ja mesazhi i saj i plotë, që nënkupton hapur tradhtinë e trajnerit të Juventusit: “Sot, nëna ime mori një ‘Tapir’ (gjitar barngrënës, i ngjashëm në formë me derrin), pas publikimit të artikujve të ndryshëm mbi përfundimin e lidhjes së saj. Sidoqoftë, arsyeja e kësaj vizite nuk është e qartë për mua.

Natyrisht, e di mirë se jeta e një personazhi publik, sipas disave, nuk mund të mbahet private, por a është vërtet e nevojshme ta zemërohesh dikë në një situatë të tillë? Pse duhej të trokisnit tek ajo në Milano? Pse të mos shkonit në Torino (ku është Allegri)?

Kështu po fajësoni nënën time, pse i besoi personit me të cilin ishte dhe me të cilin ndau katër vite të jetës së saj?! Nëse, në fund, ky person doli të ishte ndryshe nga sa hiqej, a është faji i atyre që besojnë apo atyre që tradhtojnë besimin, por edhe tradhtojnë në çdo kuptim të mundshëm?

Çfarë është e dënueshme; tradhtia apo besimi te dashuria? Ju luani lojën, jam dakord, por nuk duket se luhet kaq kollaj me dikë. Dhe më thoni çfarë dëshironit që i shkuat në shtëpi, se nuk di të bëj shaka pa kripë si ju. Nuk bëni askënd të qeshë, teksa i trajtoni kështu vuajtjet e njerëzve. Nëna ime ishte e përfshirë në një lidhje që përfundoi, por nuk e meritonte ta trajtonit kështu”.