Alibeaj: Reduktoi dëmshpërblimin e ish të përndjekurve për koncesione e luks

schedule14:27 - 8 Shtator, 2018

schedule 14:27 - 8 Shtator, 2018

Një tjetër denoncim u bë nga selia blu, këtë herë për projektligjin e qeverisë për ish të përndjekurit politikë. Deputeti Enlekejd Alibeaj renditi problematikat e ligjit, qe sipas tij redukton fondin per ish të përndjekurit, ndërsa rrit shpenzimet për koncesione e shërbime luksi.

Enkelejd Alibeaj, deputet: “Qeveria Rama ka propozuar së fundmi ndryshime në ligjin e të përndjekurve politikë, duke sjellë regres të madh për procesin e dëmshpërblimit financiar të tyre.
Ligji injoron rregullat e trashëgimisë dhe parashikon që pjesën takuese të familjarit që nuk jeton e zhvat Rama, duke e futur në buxhetin e shtetit për ta përdorur për koncesionet korruptive të tij. Ligji deformon mekanizmin e shpërndarjes së dëmshpërblimit, duke hequr dyshemenë dhe duke përcaktuar në vend të tij tavanin e dëmshpërblimit prej 1 milion lekë.
Po ashtu, ligji i hap derën Qeverisë të rishikojë dëmshpërblimet e marra nga të përndjekurit, që do të thotë se edhe ata të përndjekur e familjarë që janë dëmshpërblyer duhet të rrinë me panik se Qeveria mund të vendosë kthimin ose reduktimin e dëmshpërblimit.

Ligji dhe justifikimi për mungesën e parave është një shuplakë e radhës për çdo të përndjekur teksa Rama shpenzon për luks 11.3 miliardë lekë, aq sa është fondi i të përndjekurve politikë.

Vetem 2 agjenci qeveritare – AKU dhe AKT, kanë shpenzuar 188 milionë lekë nga buxheti i shtetit vetëm për 2 limuzina luksoze. Gjatë vitit 2018-të, qeveria Rama ka shpenzuar 25 milionë euro për blerje apo qira makinash për qeveritarët. Ndërkohë që prej vitit 2014 vlera e shpenzimeve të luksit kap shifrën marramendëse të 61.2 milionë eurove”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!