PD ka denoncuar sot lirimin nga burgu të Durim Keçit. 42-vjeçari u arrestua në Durrës, Tetorin e kaluar, për shkak të një dënimi për trafik droge e shfrytëzim prostitucioni në Itali, vend që kërkonte ekstradimin e tij.
Deputeti Enkelejd Alibeaj tha se PD e kishte paralajmëruar lirimin e tij, për shkak të lidhjeve me PS e kryeministrin Rama.
Enkelejd Alibeaj: “Kryetari Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e paralajmëroi që në Tetor se Durim Keçi do t’i shpëtonte drejtësisë sepse kishte mik kryeministrin Edi Rama sepse i kishte shërbyer në çdo palë zgjedhje. Por lirimi i Durim Keçit është edhe efekt i presionit të Edi Ramës ndaj drejtësisë dhe kontrollit politik nëpërmjet kryeprokurorit antikushtetues. Bashkë me lirimin e kriminelit Keçi, kjo është prova konkrete sesi Edi Rama ka blerë zgjedhjet, ka blerë pushtetin dhe po e mban atë nëpërmjet kapjes së drejtësisë. Prandaj ftojmë çdo shqiptar të bashkohet me opozitën në 27 Janar në sheshin e protestës për t’i thënë Edi Ramës se ne jemi njerëz të lirë dhe nuk pranojmë zgjedhën e krimit”./abcnews.al