Alibeaj: Droga e kapur nga Guardia Di Finanza sfidon policinë shqiptare

schedule17:10 - 2 Maj, 2018

schedule 17:10 - 2 Maj, 2018

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, nga foltorja e selisë blu ka akuzuar qeverinë shqiptare si të lidhur me trafikun e narkotikëve dhe si shembull sjell kapjen e një sasie rekord të drogës në brigjet italiane. Sipas demokratëve kjo ndodh vetëm ne vendin ku kryeministri mbron me imunitet politik trafikantët, duke iu referuar ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Deklaratë për media e deputetit Enkelejd Alibeaj

Kapja e një tjetër sasie rekord lënde narkotike nga Shqipëria në brigjet e Italisë, është një provë e fortë e lidhjes së qeverisë me trafikun e drogës.

Gomonia me 2.5 ton Canabis Sativa ka kaluar nën hundën e policisë shqiptare dhe para syve të radarëve, për t’u kapur vetëm nga autoritetet italiane të cilët prej kohësh janë në gadishmëri të plotë dhe në gjendje alarmi nga droga shqiptare.

Kjo është e disata herë që brenda pak kohësh mjetet lundruese të nisura nga Shqipëria nisen me tonelata drogë drejt Italisë dhe kapen nga Guardia di Financa duke sfiduar policinë dhe radarët shqiptarë .

Dhe në fakt nuk ka si ndodh ndryshe, kur vendi qeveriset nga një kryeministër vëllai i të cilit është i përfshirë direkt në trafikun e kokainës.

Kjo ndodh në vendin ku vëllai i ministrit të Brendshëm është i dënuar në Itali për trafik droge, por mbrohet nga qeveria dhe nuk ekstradohet për tu përballur me drejtësinë e vendit fqinj.

Gomonia me 2.5 ton drogë kalon pa u ndalur nga askush, pasi ish-ministri i brendshëm dhe e gjithë kupola e Policisë së Shtetit u vu në shërbim të kushërinjve Habilaj dhe ndihmonte avionët me Canabis Sativa të fluturonin të mbrojtur nga qeveria drejt Europës dhe sot janë të lirë ose të arratisur.

Kjo ndodh sepse ish-ministri i kapur në trafik droge, mbrohet me forcën e kartonit nga Rlindja dhe nuk i dorëzohet drejtësisë.

Ndërkohë që policia dhe prokuroria ende nuk kanë zbardhur të vërtetën e kokainës së Maminasit, dhe nuk kanë vënë në pranga asnjë prej pronarëve të vërtetë të 613 kg kokainë me vlerë 180 milionë euro, një tjetër sasi rekord kokaine është kapur në Spanjë.

Ndërsa Europa mbarë jep alarmin dhe i kërkon qeverisë të ndalë lumen e drogës shqiptare dhe kur Departamenti i Shetit na etiketon si vend tranzit I kokainës kolumbiane, qeveria shqiptare mbron Olsin, Agronin apo Saimirin të kapur në flagrancë si kokat e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Policia mbyll sytë para 2.5 tonëve drogë dhe mbron vëllezërit!

Qeveria bëhet e vërbër dhe nuk e sheh detin me drogë, sepse kryeministri Edi Rama është vetë koka e triadës së trafikut të drogës dhe krimit në Shqipëri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!