Kryetari i komanduar i PD Enkelejd Alibeaj ka treguar se çfarë ka biseduar gjatë takimit me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Gjatë konferencës për shtyp Alibeaj tha se i ka kërkuar Berishës që të largohet ashtu sikurse bëri Lulzim Basha duke dhënë dorëheqjen. Berisha ka kërkuar që partia të bashkohet, por kjo sipas Alibeajt nuk mund të ndodhë duke pasur brenda saj individë të etiketuar si non grata.
“Berisha pretendon bashkimin e demokratëve përmes votës. Qëndrimi im ishte i tillë, PD ka lindur si parti në vitet ’90, si parti pro Perëndimore. Kjo është një nga vlerat e kësaj partie dhe se e mira e demokratëve për të rifuqizuar demokratët, kalon duke respektuar në mënyrë strikte këto vlera, e kthyer në diskutimin aktual, ajo se çfarë i thashë Berishës. PD 30 vite pas formimit të saj nuk mund të mbrojë interesat e demokratëve e të shqiptarëve duke pasur brenda saj individë një profil politik një ish kryetar partie që është etiketuar si non grata. Për këtë arsye në diskutimin që pata me të se nuk mundet sot pas kaq vitesh PD e cila duhet të shohë nga e ardhmja të ketë ende pikë referimi të shkuarën. Që të mos ketë referenca të së shkuarës të shohë nga e ardhmja. E ftova që për bashkimin që është i domosdoshëm, ashtu siç faktet kanë ndodhur kur zoti Basha mori përgjegjësinë dha dorëheqjen si një provë me bon sens, i kërkova Berishës që në mënyrë simetrike të bënte të njëjtën gjë”.
Berisha ka deklaruar edhe një herë se do të kandidojë për për kreun e Partisë Demokratike, madje duke premtuar se sipas tij do të jetë gara më e hapur ndonjëherë.
/abcnews.al