Ali Ahmeti, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, partisë më të madhe shqiptare në këtë vend, i shoqëruar nga disa ministra, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri ka vizituar këtë të shtunë Kosovën.
Delegacioni i lartë i politikanëve shqiptar mbërriti në ambjentet e fabrikës ‘Comodita Home’ ku u mikprit nga pronari i ‘Devolli Corporation’, Shkëlqim Devolli së bashku me stafin e tij.
Kjo vizitë e Kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut vjen 3 javë pas vizitës jo zyrtare që Kryeministri Albin Kurti bëri në komunat me shumicë shqiptare, Tetovë e Çair ku u takua me krerët e disa partive shqiptare në opozitë.
Në vizitën e tij Ali Ahmeti nuk pritet që të takohet me Kryeministrin e Kosovës duke i kthyer kështu reston Albin Kurtit.
Zëvendës kryeministri Maqedonisë së Veriut Artan Gurbi, pjesë e BDI e kishte konsideruar vizitën e Kryeministrit të Kosovës tre javë më parë si një ndërhyrje në procesin zgjedhor të vendit të tyre.
Sipas Gurbit ky gabim i Kurtit ishte i përsëritur ndërsa shtoi se Maqedonia dhe Shqipëria nuk kanë bërë më parë asnjëherë gabime të tilla ndaj njëra tjetrës apo ndaj Kosovës.