Nga Ema Shazivari
Stina e pranverës favorizon së tepërmi alergjitë. Shumë persona alergjitë e stinës i lidhin me çeljen e luleve apo edhe qarkullimin e poleneve, mirëpo ka edhe disa faktorë të tjerë.
Mjekja alergologe imunologe e spitalit Hygeia Maria Zoto tregon se nga çfarë duhet të kenë kujdes në këtë periudhë personat që vuajnë nga alergjitë.
“Shumë e lidhin pranverën, me alergjitë nga Polenet, por nuk janë vetëm ato që besdisin tani. Është parë se ndryshimet e menjëhershme të temperaturave, të lagështirës, të presionit atmosferik, apo edhe erërat e ftohta të këtyre ditëve, irritojnë rrugët e frymëmarrjes që nga hundët deri në bronke. Kështu që tek personat me alergji do të shtohen simptomat, kryesisht bllokimi i hundëvë, deri tek bllokimi në bronke, që siç është parë këto ditë mund të çojë deri në rëndime të azmës”, ka thënë ajo.
Alergjitë nuk gjejnë terren vetëm në ambiente të hapura. Mjekja thotë se duhet të bëjmë kujdes edhe nga pluhurat në shtëpi.
“Në këtë stinë favorizohet gjithashtu edhe zhvillimi i pluhurit apo mykut, në ambientet e brendshme. Në fakt kujdes nuk duhet të tregojmë vetëm në shtëpi, por ndoshta edhe në zyra, në kopshte, në shkolla. Një studim i fundit tregoi se në çerdhe apo kopshte, ajri mund të ketë një ngarkesë më të lartë të mykut, krahasuar me ajrin jashtë’, është shprehur mjekja.
Për ti lehtësuar sado pak simptomat e alergjisë, sugjerohet që të merren medikamentet e nevojshme për personat që kanë rekomandimin nga mjeku./abcnews.al