Aleatët: Do shfrytëzojmë çdo mekanizëm demokratik deri në largimin e Ramës

schedule17:07 - 17 Janar, 2019

schedule 17:07 - 17 Janar, 2019

Aleatët e Partisë Demokratike mirëpresin nisjen e protestave opozitare. Por për “ABC News” ata thonë se nuk duhet bojkotuar as Parlamenti.

Shkak i vendimit të opozitës për të dalë në krye të protestave popullore, ishte ajo që aleatët parlamentarë të demokratëve e shohin jo në procedura teknike normative, por në mungesë të rolit primar të organit më të lartë përfaqësues në vend: Parlamentit.

Fatmir Mediu: “Thirret një seancë e jashtëzakonshme pa lënë mundësi të diskutohet mbi diçka të jashtëzakonshme, pikërisht Parlamenti, autoriteti që ka prodhur qeverinë”.

Dashamir Shehi: “Që t’i lësh opozitës shqiptare, mbas dy muajsh që diskutohet për ministra të ketë hapsirën e vetë për të fol e denoncuar, asgjë nuk kishte të paligjshme e pamoralshme”.

Fatmir Mediu: “Dhe situata bëhet edhe më keq kur drejtuesit e mazhorancës thonë që nuk ka kohë për llogje dhe duartrokitet nga ai grup njerëzish që duhet t’i japin dinjitet dhe vlerë vetes si deputet”.

Dashamir Shehi: “Në fakt nuk ka asnëj ligj që e bllokon, është e vërtetë që nuk ka precedent por precedentët kryhen”.

Fatmir Mediu: “Neni 48 parashikon të drejtën e debatit madje në ndryshimet e qeverisë edhe dyfishin e kohës, po t’i shtojmë kësaj edhe rolin e Parlamentit patjetër që Parlamenti ka të drejtë të gjykojë qeverinë në çdo moment”.

Kupa është mbushur – thotë opozita- e cila njoftoi edhe çeljen e sezonit të protestave.

Dashamir Sheshi: “Punë 1 jave 10 ditësh, brenda Janarit do të fillojë një protestë që do zgjasë deri në largimin e zotit Rama. Kjo është e afërta politike…”.

Fatmir Mediu: “Si opozitë kemi rënë dakort të shfrytësojmë çdo hapësirë institucionale apo të drejtpërdrejtë me njerëzit, për të larguar këtë qeveri dhe garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”.

Dashamir Shehi: “Pjesa tjetër është ndërtimi i një qeverie tranzitore që do bëj disa detyra, ligjin zgjedhor dekriminalizimin e ambientit zgjedhor në rradhë të parë e treta pastaj të shkohet në zgjehdje të reja politike”.

Të përdoret nga qytetarët si insatrument jo për të dhënë pushtet, por për t’ja hequr atij që po abuzon me të. Është kjo ftesa që opozita i parashtron shqiptarëve sot sipas kreut të lëvizjes për Zhvillim Kombëtar.

Dashamir Shehi: “Ne gjykojmë që e keqja është bërë e padurueshme dhe i themi njerëzve hajde jo për të ardhur këta të tjerët në pushtet por për të heq këtë përpara… ditën që kemi heq këtë nuk është çudi që edhe brenda opozitës të fillojë një dialektikë. Nuk jemi të gjithë dakord edhe me çfarë thotë zoti Basha, ne jemi të gjithë dakord që zoti Rama e ka mbush kupën, kjo është dakordësia jonë”.

Një tjetër dakordësi e aleatëve mes tyre është edhe nevoja që shohin në ndryshimin e sistemit elektoral dhe përfshirjen e një elementi mazhoritar që do të lejonte qytetarët të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë; diskutim ky që për Shehin dhe Mediun duhet të vijë pas garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndeshme, që janë produkt vullneti politik, jo ndryshimi teknikalitetesh në Kodin Zgjedhor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!