“Mbrojtja, Serbia është vetëpërjashtuar”/ Vengu: E kotë çdo narrativë viktimizuese nga qeveria serbe

schedule10:01 - 22 Mars, 2025

schedule 10:01 - 22 Mars, 2025

Shqipëria i është përgjigjur Serbisë për deklaratën e përbashkët në fushën e mbrojtjes të firmosur me Kosovën dhe Kroacinë.

Në një status në rrjetet sociale, ministri i mbrojtjes Pirro Vengu hedh poshtë aludimet e presidentit serb Aleksandër Vuçic se Tirana dhe Prishtina kane hapur një “garë armesh”. Sipas tij, Beogradi është vetëpërjashtuar nga iniciativat rajonale.

“Serbia, duke ndjekur prej dy vitesh një politikë të karriges boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe. Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe”, tha Ministri i Mbrojtjes.

Ndryshe nga shtetet e tjera, Vengu thotë se Shqipëria nuk ka asgjë për të fshehur, duke rikonfirmuar bashkëpunimin trepalësh me qëllim rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të Europën Juglindore.

“Në historinë e saj, Shqipëria nuk ka precedente marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dem të fqinjëve, siç e kanë pasur shtete të tjera. Për rrjedhojë, krahas kureshtjes së ekspertëve të dramave rajonale dhe atyre që mezi presin të gjejnë një vesh për të dëgjuar rënkime, nuk e kemi aspak problem të publikojmë marrëveshjen tripalëshe”, shtoi Vengu.

Në deklaratën e bërë publike theksohet bashkëpunimi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për të forcuar stërvitjet dy ose tre palëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, në përputhje me Politikat e NATO-s dhe BE-së për Trajnimet dhe Stërvitjet e përbashkëta.

Tre shtetet do të punojnë sebashku edhe për t’ju përgjigjur kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!