Albin Kurti: Të përkushtuar që dita e nesërme të jetë e suksesshme

schedule22:37 - 17 Mars, 2023

schedule 22:37 - 17 Mars, 2023

Kryeministri Albin Kurti, pas arritjes në Ohër, ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet,  në prag të takimit të nesërm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Me të mbërritur në Ohër para bisedimeve të nesërme, pata një telefonatë me këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet. Diskutuam për rëndësinë që kjo fundjavë ka për Kosovën, rajonin, integrimet euroatlantike dhe sigurinë. Theksova se jemi të përkushtuar që dita e nesërme të jetë e suksesshme”, ka shkruar kryeministri Kurti në “Twitter”.


Ai ka falënderuar Cholletin për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut.

Kurti dhe Vuçiç në takimin e 27 shkurtit në Bruksel e pranuan propozimin evropian, por nuk vendosen nënshkrimin mbi dokument. Josep Borrell sot në Shkup ka thënë se në takimin e nesërm do të paraqitet një version i konsoliduar i aneksit me komentet e të dyja palëve, ku do të saktësohen detajet rreth zbatimit të dispozitave dhe që do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes, shkruan RTK.

Propozimi evropian ndër të tjera përfshin zotimin e të dyja vendeve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese evropiane

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!