Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se në veri të vendit nuk do të ketë një Republikë Serbe.
Kurti u shpreh se nuk do të lejohet e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Nuk do të lejohet krijimi i një Republike Serbe në veri të Kosovës. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me esencë shkatërruese që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, ka thënë ai në një intervistë për median kroate “Hina”, në prag të raundit të ri të dialogut.
Një ditë para takimit me Vuçiçin, Kurti theksoi se pret të shohë se çfarë drafti është përgatitur.
“Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë”, nënvizoi ai.