Albin Kurti: Kosova nuk e lë kurrë vetëm Shqipërinë

schedule07:14 - 2 Dhjetor, 2019

schedule 07:14 - 2 Dhjetor, 2019

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vizituar Parkun Inovativ në Prizren, ku janë vendosur rreth 500 persona të prekur nga tërmeti.

Kurti, është zotuar dje se Kosova dhe populli i saj kurrë s’do ta lënë vetëm Shqipërinë.

Gjatë kësaj vizite Kurti ishte i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, dhe deputetët e kësaj partie Artan Abrashi, Yllza Hoti, Arbër Rexhaj, Salih Zyba.

Kurti tha se në ish-kampin ushtarak të KFOR-it në Prizren gjithçka funksionon me përpikëri dhe se së shpejti aty do të hapet edhe kuzhina për refugjatët.

Ne pamë që gjithçka po funksiononte në përpikëri: mjekët po bënin kontrollet sistematike për trajtimin e infeksioneve të lehta, atyre kronike e deri te sëmundjet akute; psikologët të gatshëm për trajtimin e të traumatizuarve; vullnetarët ishin duke i seleksionuar të gjitha ndihmat, nga ato higjienike te veshmbathjet, nga dyshekët te batanijet. Të gjitha nevojat elementare janë duke u plotësuar. Ndonëse çdo ditë ushqimi është duke u shtruar nga humanitarë zemërgjerë, në hapësirat e Kampit shpejt do të hapet edhe kuzhina ku do të gatuhet ushqim i freskët për refugjatët. Ish-hapësira e KFOR-it gjerman, sot Park Inovativ, edhe pse nuk mund ta ketë ngrohtësinë e shtëpisë, po ia del mbanë që mërzinë ta zbus. Në emër të organizatës sonë, i falënderojmë të gjithë për punën që po e bëjnë”, tha ai.

Më tej, Kurti shtoi se shteti i Kosovës, Qeveria dhe populli i saj kurrë nuk do ta lë vetëm Shqipërinë.

Çfarë ndodhi nuk mund të zhbëhet, por jeta duhet të triumfojë. Këto ditë pikëllimin po e kthejmë në forcë. Ne jemi një komb dhe nuk jemi mysafir te njëri-tjetri, Kosova është shtëpia e juaj, sepse kombi shqiptar është streha jonë”, tha Kurti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!