Albin Kurti jashtë, a do i bojkotojë zgjedhjet? Vetëvendosje bën hapin e shpresës së fundit

schedule19:23 - 26 Janar, 2021

schedule 19:23 - 26 Janar, 2021

Lëvizja Vetëvendosja duhet të shkojë në zgjedhjet e 14 Shkurtit pa Albin Kurtin, kandidatin për kryeministër. Ky është vendimi përfundimtar i marrë nga institucioni që shqyrton ankesat për zgjedhjet. Jashtë garës kanë mbetur dhe 4 deputetë të tjerë të kësaj lëvizjeje.

Vetëvendosje nuk mundet as të zëvendësojë emrat e skualifikuar e në këtë situatë,  e vetmja mundësi mbetet ankimi në Gjykatën Supreme. Dhe një gjë e tillë do të ndodhë. Lajmin e konfirmoi në ABC, Sami Kurteshi, përfaqësues i Vetëvendosjes në KQZ. Ai tha se vendimin final e pret në datë 31 Janar.

Ne e kemi lexuar vendimin dhe është në vazhdën e veprimeve që në të vërtetë po cenojë tërë procesin zgjedhor. Vendimi është absurd dhe paradoksal. Ne do i drejtohemi gjykatës Supreme dhe shpresojmë shumë që vendimi i PZAZ-së do të shfuqizohet dhe që KQZ të miratojë listën e plotë të VV-së”.

Por, a ka shanse që lista me Albin Kurtin të jetë pjesë e zgjedhjeve nëse gjykata Supreme i jep të drejtë Vetëvendosjes? “Po, sepse cështjet teknike dhe administrative janë të rregulluara është cështje e një vendimi, shfuqizimit të vendimit të panelit zgjedhor. Këto janë afate të caktuara ligjore, afati për ankesë është 24 orë nga vendimi dhe pastaj gjykata Supreme ka 72 orë në dispozicion nga momenti i marrjes. Kjo përfundon në 31 janar” tha ai.

Megjithatë, cilido që të jetë vendimi i gjykatës Supreme, me apo Albin Kurtin, Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit. “Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në zgjedhje, 14 shkurti do të jetë dita e Vetëvendosjes, çështja është e përpjekjes së degradimit të procesit zgjedhor nga PDK-LDK me në krye Valdete Dakën. Vetëvendosje do të marrë pjesë në zgjedhje me 110 kandidatët e vet dhe do të jetë fituese e zgjedhjeve, 14 shkurti do të jetë ditë e dashurisë dhe Vetëvendosjes”.

Por nëse nuk do të lejohet Albin Kurti, kush do të jetë në krye të listës së Vetëvendosjes Vjosa Osmani apo Glauk Konjufca? “Momentalisht është Albin Kurti. Plan B? Nuk kemi menduar për plan B, kemi planin A dhe momentalisht plani A është në fuqi” përfundoi ai. / db/Abcnews.al