Kryeministri Albin Kurti, ia ka hapur sot derën e zyrës së tij në Qeveri shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin, duke e pritur në takim. Në vitin 2006, Kurti me shokë i kishin bllokuar hyrjet e selisë së UNMIK-ut, duke kërkuar që ky mision ndërkombëtar të largohej nga Kosova. Krerët e UNMIK-u për Kurtin ishin urdhërdhënësit e vrasjeve të dy aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë protestave të dhunshme në shkurt të vitit 2007.
Nga rruga, që prej kur nisi ta zhvillojë angazhimin e tij politik, Albin Kurti kërkoi largimin e UNMIK-ut nga Kosova. Për të, UNMIK-u ishte strukturë autoritare. Por, për Kurtin kryeministër, UNMIK është autoritet me të cilin bashkëpunon.
Qysh në vitin 2004, Kurti i kishte mbledhur disa qytetarë për të protestuar në Prishtinë kundër UNMIK-ut. Besonte se kundërshtimi do të vazhdonte deri kur UNMIK-u ta linte Kosovën.
“Është pesë vjetori i Rezolutës 1244 dhe nuk dëshironim të lejojmë që kjo ditë të kalojë duke festuar institucionet tona me UNMIK-un. Kosova është duke shkuar në procese negative në çdo aspekt, social, ekonomik dhe politik. Prandaj, ne simbolikisht filluam lëvizjen tonë joviolente, e cila do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave tona, statusin e qytetarit dhe në të njëjtën kohë datën sa më të shpejtë kur UNMIK-u do të dalë nga Kosova”, kishte thënë Kurti më 10 qershor 2004, atëherë si kryetar i Rrjetit të Aksionit për Kosovën.
Për çdo vit, UNMIK-u u bë armik edhe më i madh për Albin Kurtin dhe Lëvizjen e tij. Dy vjet pas, më 9 qershor të 2006-ës, Kurti me shokë i kishin bllokuar hyrjet e selisë së UNMIK-ut, në një aksion ku ishin arrestuar dhjetëra aktivistë. Kurti paralajmëronte se nuk do të ndashin, shkruan Express.
Derisa konfrontimi i Kurtit me UNMIK-un bëheshin gjithnjë e më agresive, më 10 shkurt 2007, një protestë e dhunshme kundër pakos për statusin e Kosovës që kryenegociatori ndërkombëtar Martti Ahtisaari e pati dorëzuar në Prishtinë dhe në Beograd paraprakisht, ishte fatale për Mon Balajn dhe Arben Xheladinin, dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët vdiqën nga plumbat e gomës. Më shumë se 80 të tjerë kishin mbetur lënduar, katër prej të cilëve rëndë, si dhe 15 ishin arrestuar gjatë kësaj proteste që kishte eskaluar në përleshje të dhunshme ndërmjet protestuesve dhe policisë në qendër të Prishtinës.
Policia kishte ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra protestues, anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kishin tentuar të çanin kordonin e Policisë së Kosovës dhe policisë së UNMIK-ut, që ishte vendosur në afërsi të ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Fillimisht protestuesit ishin nisur nga selia e Vetëvendosjes dhe të prirë nga lideri i tyre Albin Kurti kishin marshuar nëpër qendër të kryeqytetit, ku të ndeshur me forcat e shumta të policisë speciale kishin brohoritur kundër UNMIK-ut./Express