Albert Veliu arrestohet në Kosovë

schedule14:52 - 28 Maj, 2018

schedule 14:52 - 28 Maj, 2018

Është arrestuar të dielën nga Policia e Kosovës shtetasi Albert Veliu dhe djali i tij. Të dy u ndaluan në Shtime, ndërsa policia e Kosovës konfirmoi lajmin duke theksuar se ka vepruar në bazë të kërkesës së palës shqiptare.

Policia e Kosovës konfirmoi arrestimin e shtetasit shqiptar Albert Veliu dhe djalit të tij, në Shtime. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se bazuar në autorizimet ligjore, të dielën janë ndaluar ndaluar dy shtetas të Republikës së Shqipërisë, të cilët janë trajtuar sipas procedurave të parashikuara me ligj.

Veliu njihet dhe si “Dëshmitari X” në çështjen e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Punëve të Brendshme në Shqipëri, Fatmir Xhafaj. Albert Veliu është personi, i cili në audiopërgjimin e publikuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë flet me Agron Xhafajn për pazare droge. Mediat kosovare shkruajnë se “Dëshmitari X” po qëndronte në Shtime kur iu vunë prangat së bashku me djalin e tij. Për këtë arrestim autoritetet kosovare kanë njoftuar palën shqiptare.

Ai është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të Shqipërisë dhe pritet t’i dorëzohet autoriteteve në Shqipëri. Veliu ditë më parë bëri përpjekjen e parë për t’u larguar në Kosovë, por u ndalua në Kukës. Pas marrjes në pyetje, në Shqipëri, atij nuk iu bllokua pasaporta dhe nuk kishte asnjë urdhër ndalimi, por ishte në ruajtje nga policia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!