Alban Bushi: Reja ka në drejtim Shqipërinë më të mirë, me Manajn i nisim ndeshjet 1-0

schedule18:16 - 29 Gusht, 2021

schedule 18:16 - 29 Gusht, 2021

Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U21, ka dalë para mediave në prag të ndeshjes me Çekinë dhe ka folur për kombëtaren që drejton dhe për ekipin e Edy Reja. Për ish-sulmuesin e kombëtares, italiani ka në drejtim skuadrën më të mirë në historinë e kuqezinjve.

“Jam shumë i kënaqur që ekipi Kombëtar A ka marrë një pjesë shumë të madhe lojtarësh nga skuadra U-21. Këta radhë janë katër lojtarë, Çepele, Muҫi, Mitaj dhe Broja. Unë dua të falënderoj në radhë të parë Drejtorinë Teknike në Federatën Shqiptare të Futbollit, sepse jemi nga të paktat skuadra në Europë që kemi një mesatare moshe të vogël, që tregon se është bërë një punë mjaft e mirë, intensive dhe kualitative për të ardhmen e Shqipërisë.

Trajneri Reja mendoj se ka ekipin më të mirë në historinë e Shqipërisë, për nga cilësia e lojtarëve dhe klubet ku aktivizohen. Për këtë mendoj se Shqipëria do të bëjë shumë mirë në të ardhmen. Po të shikojmë ekipin e parë dallojmë se janë 30% e lojtarëve që kanë kaluar nga U-21 këto 3-4 vitet e fundit. Kemi bërë një punë të mirë 10-15 vitet e fundit që po jep frytet e saj.

Në lidhje me mungesat për këtë ndeshje duhet të them që na dëmtojnë shumë sepse unë e kisha programuar dhe stërvitjen e ndeshjen pak a shumë me lojtarë si Bullari, Tuci e Marvin Çuni. Dje u dëmtuan Kristjan Asllani dhe Anxhelo Ndrenka, që janë në listë. Do të kemi shumë mungesa, por lojtarët që do të vijnë, do të bëjnë mirë.

Janë lojtarë cilësorë që ne i kemi patur në vëzhgim në vitet e kaluara. Do të bëjmë një ndeshje të mirë ndaj Çekisë dhe unë pres shumë nga këto lojtarë që janë në listë. Është një mundësi që i jepet dhe do duhet ta justifikojnë. Duhet të mos harrojmë që është ndeshje futbolli, e rëndësishme është që lojtarët të japin maksimumin, të zbresin me pasion dhe sakrificë në fushë e të vlerësojnë fanellën e Kombëtares.”

“Nga mungesat që kemi pasur jemi detyruar të marrim lojtarë në moshë të vogël dhe cilësor. Toci për shembull është 3 vjet më i vogël në moshë apo dhe Nikqi që është 4 vjet më i vogël se ata që do të ketë përballë, por janë lojtarë shumë të fortë, të perspektivës. Mbase nuk mund ta përballojnë këtë kundërshtar 100%, por vlen e ardhmja e tyre, sepse ne jemi këtu për të kontribuar sa më shumë për ekipin Kombëtar A, por edhe për të marrë rezultate të cilat nuk na kanë munguar kohët e fundit.”

“Për të thënë të vërtetën Çekinë e njohim pak. Me datëlindjen 1998 kanë qenë në Europian. Kam parë stilin e tyre të lojës, por ajo mund të ndryshojë sepse ata përpara një muaji kanë emëruar trajner të U-21 trajnerin që kanë pasur me U-19. Kam parë lojërat e tij, luan një 4-4-1-1. Në këtë moment duke mos e njohur mirë, është herët për të folur. Me datë 2 kanë një ndeshje kundër Sllovenisë, të cilën ne do ta analizojmë mirë dhe mbi bazë të asaj ndeshjeje ne do të përgatisim ndeshjen taktikisht në ato 4 ditë.

Çekia është një ekip cilësor, nuk ka nevojë për komente sepse është në rangun e Gjermanisë e Holandës për moshat, shumë i fortë, por, edhe ne jemi shumë të fortë. Kemi treguar se pavarësisht mungesave kemi marrë rezultate shumë të mira kohët e fundit. Kualifikueset i kemi nisur mbarë me një fitore në një fushë të vështirë si ajo e Andorrës ku kemi fituar 3-0. Kjo na jep besim që të vazhdojmë kështu edhe në Çeki.”

 

“Sulmuesit e Shqipërisë? E thashë edhe më lart, është ekipi më i mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, sidomos në repartin e sulmit. Ka shumë sulmues golash. Unë dikur kam thënë që Broja do të bëhet një nga lojtarët më të mirë të Kombëtares, me Manajn fillon ndeshja 1-0, Cikalleshi e Balaj me eksperiencën e tyre.

Ka shumë element cilësorë dhe është një luks për trajnerin sepse kemi një moshë të re, gjë e cila të bën të shpresosh edhe për të ardhmen. Dikur nuk kishte zgjedhje, tani ka 7 sulmues, ku duhet të përmend edhe Vrionin që nuk është grumbulluar dhe dje shënoi përsëri. Shqipëria është në rrugë të mirë”, ka thënë Bushi mes të tjerash. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!