Një ndërtesë 38-katëshe në Midtown Manhattan u evakuua të martën në mëngjes, pasi autoritetet ngritën alarmin për një rrezik të mundshëm shembjeje për shkak të dëmtimeve serioze strukturore.
Departamenti i Zjarrfikësve të New Yorkut (FDNY) mori njoftimin pak para orës 08:00, pasi nga ndërtesa në adresën 235 East 42nd Street, pranë Terminalit Grand Central, nisën të bien tulla. Objekti, që dikur shërbente si seli e kompanisë farmaceutike Pfizer, është aktualisht në proces transformimi në një kompleks banimi me mbi 1,600 apartamente, me përfundimin e projektit të parashikuar në vitin 2027.
Sipas Departamentit të Ndërtesave, një zyrtar i sigurisë raportoi se një tra metalik në katin e 21-të kishte pësuar dëmtime të rënda. Ndërkohë, FDNY bëri të ditur se dy kolona mbajtëse brenda godinës kishin filluar të përkuleshin, ndërsa disa nga katet e sipërme po shfaqnin shenja fundosjeje.
Menjëherë pas alarmit, të gjithë punëtorët u evakuuan nga ndërtesa, ndërsa autoritetet urdhëruan edhe evakuimin e dy godinave fqinje në adresat 225 dhe 221 East 43rd Street, si masë parandaluese.
Në vendngjarje mbërritën inxhinierët e Departamentit të Ndërtesave të Qytetit të New Yorkut për të kryer verifikimet e nevojshme mbi gjendjen strukturore të objektit.
Si pjesë e masave të sigurisë, u evakuuan gjithashtu hotele, dyqane dhe apartamente në zonën përreth, ndërsa disa rrugë u bllokuan për qarkullimin. Autoritetet u bënë thirrje drejtuesve të automjeteve të shmangin zonën dhe të përdorin itinerare alternative derisa të përfundojnë kontrollet dhe të eliminohet çdo rrezik.



