Rikthehen reshjet në territorin e vendit dhe situata pritet të përkeqësohet në disa qarqe. Në një lidhje direkte, meteorologia Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencës bën të ditur se që prej ditës së djeshme shirat janë rikthyer, ndërsa sot pritet intensifikim i tyre.
Sipas parashikimeve, reshje intensive do të përfshijnë qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë, ku pritet sasia më e lartë e shiut. Ndërkohë, në Dibër, Durrës, Tiranë dhe Elbasan parashikohen shtrëngata të shkurtra, por me intensitet të lartë.
Autoritetet paralajmërojnë se këto kushte atmosferike mund të sjellin probleme në zona të caktuara. Nuk përjashtohen rrëshqitje dherash, si dhe përmbytje të lokalizuara në zonat urbane, sidomos aty ku sistemi i kanalizimeve është i amortizuar ose i mbingarkuar.
Në veçanti, qarqet Shkodër dhe Kukës mbeten më të ekspozuara ndaj përmbytjeve, në varësi të kapacitetit të kullimit të ujërave. Sa i përket erës, ajo pritet të fryjë e lehtë deri mesatare gjatë ditës, por në momente të caktuara mund të arrijë deri në e fortë, kryesisht në zonat bregdetare dhe ato malore.
Parashikimi për ditët në vijim tregon se 10-ditëshi i fundit i prillit do të dominohet nga mot i paqëndrueshëm, me alternime reshjesh dhe intervale të shkurtra kthjellimesh./abcnews.al


